Ministrja Nagavci duke tentuar ta luftojë plagjiaturën te stafi akademik, merr këtë vendim

 

Minstrja e MAShTI-së, Arbërie Nagavci sot ka marrë një vendim duke tentuar në ndaljen dhe parandalimin e plagjiaturave në Universitetet në Republikën e Kosovës. Me këtë vendim këto institucione janë të obliguara të publikojnë disertacionin e doktoratës dhe të publikimeve në revistat e indeksuara.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci sot ka nënshkruar vendimin për pajtueshmërinë e punimeve dhe publikimeve shkencore me etikën në hulumtim të stafit akademik të institucioneve të arsimit të lartë (IAL).
Sipas njoftimit për media, me këtë vendim, obligohen të gjitha IAL-të në Republikën e Kosovës që me rastin e deklarimit të stafit akademik në platformën e-akreditimi të AKA-së të bëjnë ngarkimin e disertacionit të doktoratës dhe të publikimeve në revistat e indeksuara, në platformat e përcaktuara me Manualin e AKA-së për akreditim.
“Stafi akademik duhet të jenë persona me integritet e kredibilitet të lartë profesional e personal ndërsa institucionet e arsimit të lartë duhet të sigurojnë respektim të standardeve të ndershmërisë akademike brenda institucionit. Ndonëse plagjiatura konsiderohet si formë e rëndë e shkeljes së etikës akademike, fatkeqësisht raste të tilla u raportuan së fundi në Universitetin e Prishtinës. Në linjë me këtë, kam nënshkruar sot vendimin për pajtueshmërinë e punimeve dhe publikimeve shkencore me etikën në hulumtim të stafit akademik të institucioneve të arsimit të lartë (IAL)”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Arsimit.
Sipas ministres, vendimi për pajtueshmërinë e punimeve obligon zbatimin e përpiktë të standardeve evropiane të cilësisë të cilat decidivisht thonë se “institucionet (e arsimit të lartë) kanë politika dhe procese që garantojnë dhe përmirësojnë cilësinë e aktiviteteve të tyre, si hulumtimi dhe qeverisja”.
Tutje Nagavci thotë se si ministre e Arsimit pret që rastet e plagjiaturës të raportuara deri tash të trajtohen me seriozitet nga organet e Universitetit të Prishtinës./21Media

Back to top button