​Rreth 4 mijë përdorues të karrocave në Kosovë, mbetet sfidë lëvizja e lirë e tyre

Shoqata “HANDIKOS” sot ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës, me ç‘rast u organizua aktiviteti i një shëtitje 30 minutëshe me karrocë në njërën nga rrugët e kryeqytetit.

Pjesëmarrës të këtij aktiviteti ishin nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Jehona Lushaku – Sadriu, dhe anëtar të kabinetit të cilët u shoqëruan nga drejtori i HANDIKOS, Afrim Maliqi.

Nga shoqata u përmendën sfidat që përballen personat me karrocë, ndërsa nga autoritetet komunale premtuan më shumë angazhim në krijimin e kushteve për lëvizje më të lehtë të tyre.

Drejtori Maliqi tha se në Kosovë janë rreth 4 mijë persona që përdorin karrocën dhe se të njëjtit e kanë të vështirë që të lëvizin lirshëm në rrugët e Prishtinës dhe në vende të tjera.

“Sot në Ditën Ndërkombëtare të Karrocave jemi mbledhur disa edhe njerëz që përdorin karroca në përditshmëri që ta shënojmë këtë ditë dhe të shohim pak a shumë sfidat në të cilat përballemi në përditshmëri, jo vetëm sfidat por ta shohim aty ku janë ndërtuar mirë pjerrinat ku mund të ketë lëvizje të lirë dhe ku mund të ketë pengesa e që duhet të intervenohet dhe të rregullohet. Sot qytetarët e Kosovës po lëvizin lirshëm edhe në Evropë mirëpo qytetarët të cilët janë përdorues të karrocave për fat të keq ende nuk janë të lirë të lëvizin lirshëm sikurse qytetarët e tjerë. Vlerësohet se diku në Kosovë mund të jenë rreth 4 mijë përdorues të karrocave të cilat i përdoremi në përditshmëri nëse e shtojmë edhe numrin e personave të moshuar të cilat kanë vështirësi në lëvizje, edhe nënave apo prindërve të cilët kanë fëmijë të cilët lëvizin vazhdimisht me karroca atëherë me të vërtet kjo na shtynë të mendojmë se duhet të krijohet një ambient i qasshëm për të gjithë, pra kjo është qëllimi i ditës të sotme,” thotë Maliqi.

Ndërkaq nënkryetarja e komunës të Prishtinës, Jehona Lushaku – Sadriu u shpreh se ndjenja për të qenë në karrocë qenka e fortë, pasi sipas saj, liria e lëvizjes varet nga karroca.

Ajo theksoi se e dinë që në Prishtinë këta persona hasin në vështirësi për të lëvizur, teksa shtoi se kanë vullnet politik për të ju qëndruar pranë dhe se në të ardhmen do të ketë mbështetje konkrete ndaj tyre.

“Qenka një ndjenjë jo fort e lehtë me qenë në karrocë. E imagjinoj sa e vështirë është që gjithmonë që liria jote e lëvizjes të jetë e varur nga karroca. Me të vërtet mendoj që është e rëndësishme posaçërisht ata që kanë mundësin dhe fuqinë e vendimmarrjes të jenë dhe ta provojnë këtë ndjenjë për të kujtuar gjithmonë që vendimet tona janë vendime edhe e prekin jetën e secilit. Unë jam këtu sot dhe bashkë me drejtoreshën dhe anëtaret e kabinetit për të shprehur gatishmërinë tonë që vendimet tona të rishikohen gjithmonë nga këndvështrimi i personave që janë në karrocë dhe jam këtu për të shprehur po ashtu përkrahjen institucionale për këtë komunitet dhe për të gjitha kategoritë e tjera të cilat janë në njëfarë forme të kufizuar për shkak të shëndetit të tyre. Prishtina ka shumë vështirësi, shumë ndërtesa ekzistuese nuk janë të adaptuara ende ne e dimë që ka shumë sfida edhe për ju por edhe për ne për shkak të mjeteve financiare për t’i plotësuar të gjitha këto kushte por po e them se ka një vullnet politik të prerë që të jemi krah jush dhe të ju përkrahim në çdo rrethanë. Andaj kjo nuk është vetëm solidaritet nuk është vetëm veprim simbolik por është një akt mbështetje konkrete që do të ketë edhe vendime në të ardhmen”, u shpreh nënkryetarja Lushaku.

Dita e Përdoruesve të Karrocës për herë të parë u shënua më 2019 në Kosovë me qëllim të arritjes së ndikimit pozitiv të karrocës në jetën e një personi, rikujtimit të numrit të përdoruesve të karrocës në vend dhe në botë, si dhe vetëdijesimit të shoqërisë për ta bërë botën një vend të qasshëm për të gjithë.

Back to top button