Qeveria ka ngritur gatishmërinë, shkak vërshimet

Pas reshjeve të mëdha që po vazhdojnë dhe vërshimeve në shumë pjesë të vendit, Qeveria e Kosovës njofton se ka ngritur nivelin e gatishmërisë së kapacitetit koordinues dhe reagues, me qëllim të reagimit ndaj situatës së krijuar.
“Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) ka njoftuar të gjithë akterët dhe ka përcjellur njoftimin për ngritje të nivelit të gatishmërisë dhe bashkë po e monitorojnë gjendjen. Autoritetet tona zyrtare janë duke e monitoruar pandërprerë situatën në terren.”, thuhet në njoftim.
Po ashtu Qeveria njofton se Ministria e Mbrojtjes, bazuar në Planin e Reagimit Kombëtar në Emergjenca, është në gatishmëri të plotë të reagojë, varësisht nga kërkesat për mbështetje të Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave.
“Forca e Sigurisë së Kosovës, është në dispozicion me të gjitha kapacitetet, që të realizojë detyrën ligjore të mbështetjes ushtarake të autoriteteve civile dhe qytetarëve tanë pa dallim. Sipas informacioneve nga tereni janë mobilizuar të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve, në mënyrë që të gjitha rrugët nacionale dhe regjionale, si dhe autoudhët të jenë të qarkullueshme për automjete. Kompanitë e MVD-së të kontraktuara nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, gjatë tërë kohës po punojnë dhe po intervenojnë për qarkullim sa më të sigurt të automjeteve.”, thuhet në komunikatën e qeverisë.
Qeveria po ashtu ka apeluar te qytetarër që të këne kujdes gjatë ditës së nesërme.
“Meqenëse, Instituti Hidrometerologjik i Kosovës, ka parashikuar përkeqësim të motit edhe gjatë ditës së nesërme, ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve në zonat e rrezikuara të bëjnë kujdes me lëvizjet e tyre në orët në vijim, të shmangin kalimet në rrugët me prezencë uji, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.Qytetarët mund ta bëjnë informimin në Qendrën Operative Emergjente, përmes numrit unik (të integruar) emergjent – 112 (këtë numër emergjent – 112 mund ta thirrni dhe merrni, pa prefiks, nga cilido vend në Republikën e Kosovës).Gjithashtu mund të thirrin edhe në këta numra:

  • Njësinë më të afërt Profesionale te Zjarrfikës dhe Shpëtimit, në numrin e telefonit 193,
  • Policinë e Kosovës, në numër të telefonit 192,
  • Ndihmën e shpejtë , në numër të telefonit 194.”, thuhet në njoftim.

 
MPB ka ngritur gatishmërinë shtetërore, shkak vërshimet
Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur gatishmërinë shtetërore me rastin e vëshimeve që kanë ndodhur sot
Sot që nga orët e para të ditës kanë filluar reshjet atmosferike të shiut, me ç’rast në Rajonin e Mitrovicës dhe Pejës ka pasur ngritje të nivelit të ujit në lumenj dhe ka pasur vërshime të shpejta.
“Agjencioni i Menaxhimit Emergjent në kuadër të MPB-së në koordinim me IHMK-në ka marrë të gjitha masat e nevojshme duke ngritur nivelin e gatishmërisë në të gjitha komunat. Aktualisht, MPB është mobilizuar me të gjitha kapacitetet e saj, përfshirë AME-në me të gjitha Njësitë e zjarrfikësve dhe Policinë e Kosovës, të cilët do të jenë në shërbim të qytetarëve 24 orë”, thuhet në komunikatë.
Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se është në komunikim dhe koordinim me të gjitha ministritë tjera, për marrjen e të gjitha masave për përballimin sa më të lehtë të situatës.
MPB ka apeluar te qytetarët që jetojnë në zona ku ka përmbytje që të kenë kujdes të shtuar dhe të komunikojnë me autorietet shtetërore që t’iu vijnë në ndihmë.
“Qendrat Operative Emergjente janë aktivizuar në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës dhe për çdo urgjencë duhet të kontaktojnë në numrin emergjent 112”, thuhet tutje në komunikatë.
Gjendje Emergjente kanë shpallur Komuna e Skënderajt dhe ajo e Mitrovicës. Ndërsa, IHMK ka thënë se situata e vështirësuar hidrometeorologjike pritet që të vazhdojë dhe gjatë orëve dhe ditëve në vijim./21Media

Back to top button