Nagavci e mirëpret vendimin e Rektorit dhe këshillit të etikës për pezullimin e profesorit

Ministrja e Arsimit, Arbërie Negavci, ka reaguar pasi profesori Xhevat Krasniqi me vendim të rektoratit dhe këshillit të etikës është pezulluar nga puna si profesor në Universitetin e Prishtinës si i dyshuar për ngacmime seksuale ndaj studentëve.

Këtë vendim e ka mirëpritur ministrja Arberie Nagavci, e cila ka shkruar në Facebook, të martën.

“Mirëpres Vendimin e Këshillit të Etikës dhe atë të Rektorit të UP-së, Prof. dr. Qerim Qerimi. Organet përgjegjëse të Universitetit të Prishtinës, në funksion të autonomisë së tyre, e trajtuan dhe morën vendim për rastin e fundit, sepse qëllimi është i njëjtë, arsimi duhet të udhëhiqet nga kodi etikës dhe sjellja profesionale. E kundërta do të ndëshkohet gjithmonë!  Shpresoj që edhe organet e hetuesisë të veprojnë me efikasitet në trajtimin e këtij rasti”, ka shkruar Nagvaci në Facebook.

Ajo tutje ka apeluar tek të gjitha institucionet arsimore, të ndërmarrin hapa për të parandaluar çfarëdo shkelje të kodit të etikës.

“Si ministre e Arsimit jam zotuar se të gjitha rastet e denoncuara nga studentët nuk do të mbetën më në arkiva dhe zvarriten pa fund nga institucionet që kanë për detyrë t’i trajtojnë ato. Bëj apel tek të gjitha institucionet arsimore, të ndërmarrin hapa për të parandaluar çfarëdo shkelje të kodit të etikës dhe të krijojnë mjedise të sigurta, ndërsa studentët i inkurajojë të denoncojnë çdo rast të tillë apo shqetësim që kanë për të ndryshuar të gjithë së bashku sistemin arsimor”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Back to top button