Ndërpritet seanca, Hekuran Murati nuk i merr votat për kryeparlamentar

(Lajm i përditësuar)
Krasniqi Këta me vetëdije nuk po dëshirojnë ta konstituojnë Kuvendin, sepse ministrat nuk kanë shans të marrin vota
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas dështimit të seancës konstituive, tha se VV e ka ditur që Hekuran Murati nuk i merr votat për kryeparlamentar.
Ai tha se është bërë e qartë që PDK nuk voton asnjë anëtarë të ish-kabinetit Kurti 2.
Ndër të tjera Krasniqi tha se VV ka 35 kandidatë të tjerë që mund t’i propozojë, por këtë nuk e bën.
Ai e ka quajtur lojë” të kryeministrit të detyrë dhënien e emrave të kandidatëve nga LVV.
“Janë edhe 35 kandidatë të tjerë që i ka LVV që po të viheshin në votim, ndoshta sot do ta kishim të zgjedhur edhe kryetarin edhe konstituimin. Nëse deri sot dikush e ka pasur dyshimin më të vogël se ka një përpjekje të vërtetë nga VV, u bë e qartë se një gjë e tillë nuk qëndron. Po vijmë në seanca vetëm për të humbur kohë, në lojën e Kurtit për të humbur kohë që pastaj të hyjmë në një thellim tjetër të krizës. Këta me vetëdije nuk po dëshirojnë ta konstituojnë sepse ministrat nuk kanë shans të marrin vota”, tha i pari i PDK-së.
“Sot është dashur të ketë propozim të ri, propozim të ri… sikur të kishte më shumë propozime do ta shihnim ndoshta një vullnet të VV-së për konstituim, por kjo është një lojë”, ka shtuar ai.
Dështon edhe sot konstituimi i Kuvendit
Ka dështuar edhe sot tentimi për konstituim të Kuvendit.
Hekuran Murati ka dështuar që të zgjidhet kryeparlamentar, pasi mori vetëm 57 vota.
Kundër ishin 51 dhe gjashtë abstenuan.
Seanca e radhës do të mbahet më 24 gusht në ora 11:00. /21Media
VV ndërron kandidatin, propozon Hekuran Muratin për Kryeparlamentar
Lëvizja Vetëvendosje ka ndërruar kandidatin për Kryetar Kuvendi, duke propozuar Hekuran Muratin.
Propozimin e tij e dha Donika Gërvalla, e cila u propozua seancën e kaluar.
Nis seanca për konstituimin e Kuvendit
Ka nisur seanca për konstituimin e Kuvendit.
Kjo seancë është duke u drejtuar nga deputeti më i vjetër në moshë, Avni Dehari dhe deputetja më re në moshë, Sala Jashari.
Në sallë janë të pranishëm 115 deputë. /21Media
Limaj: Duhet marrëveshje politike për kryeparlamentarin
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar para nisjes së seancës se për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit duhet të ketë marrëveshje paraprake dhe mbështetje të sigurt parlamentare.
“Kryetari i Kuvendit duhet të dihet paraprakisht që i ka 61 vota para se të shkohet në votim. Ka vendimmarrje politike, ashtu siç ka ndodhur edhe herëve të tjera. Nuk është rruga që të premtohet befasi, kështu që ka qenë një marrëveshje politike”, u shpreh Limaj para gazetarëve.
Ai gjithashtu paralajmëroi se zgjedhjet parciale apo vendime të njëanshme mund të provokojnë situata të reja në vend.
Haxhiu: S’do të jem kandidate për kryeparlamentare
Deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu, tha se sot emri i saj sot nuk do të propozohet për kryeparlamentare.
“Unë jo”, tha shkurt ajo kur u pyet nga gazetarët se kush do të jetë i propozuari nga LVV-ja për postin e kreut të Kuvendit.
Ndërkaq, Haxhiu tha se në seancë do të kuptohet se kush do të propozohet.
Zyrtarë të tjerë të LVV-së thanë më herët se në mbledhjen e grupit parlamentar, para nisjes së seancës, do të vendoset se kush do të kandidohet. /rel
Avdyli thotë se ‘‘duhet të shkojmë në zgjedhje sa më shpejt’’: Gërvalla është kandidate e Guxo e jo e VV’së
Haxhi Avdyli nga Lëvizja Vetëvendosje, pak para vazhdimit të seancës konstitutive, ka thënë se duhet të shkojmë në zgjedhje sa më shpejt.
Ai ka thënë se Gërvalla është kandidate e Guxo e jo e VV-së
‘’Donika Gërvalla nuk është kandidate e VV-së është e partisë Guxo’’.
“Neve shprehim keqardhje për ta, sepse qytetari po e sheh se kush është bllokuese. Ata janë bllokuesit e shtetit, dhe ne duhet të shkojmë në zgjedhje sa më shpejtë, dhe qytetari duhet të ua tregojë vendin më shumë se 51 %”, shtoi tutje Avdyli.
Rashiq: Duket që prapë do të kemi një skenar të njëjtë
Deputeti nga radhët e komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës, Nenad Rashiq për RTV21 tha se nuk pret ndonjë ndryshim në seancën e sotme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
“Fatkeqësisht nuk pres ndonjë vendim sepse deri në këtë moment nuk kemi pasur ndonjë bisedim. Po duket që prapë do të kemi një skenar të njëjtë, që kemi pasur deri më tani”, tha ai. /21Media
AAK-ja do të kërkojë konsultë para seancës
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të kërkojë konsultë me shefat e grupeve parlamentare dhe kryesuesin e seancës përpara nisjes së seancës konstituive.
Kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, ka thënë se duhet të diskutohen emrat për kandidatë që të mos shkojnë “të papërgatitur”.
“Përmes koleges tonë, Times, do të kërkojmë konsultë përpara seancës me shefat e grupeve dhe kryesuesin, nëse ka gatishmëri dhe në nivel të kryetarëve të partive për të diskutuar për kandidaturat, kush mund të jetë kandidat”.
“Kemi shumë emra të tjerë në Vetëvendosje që do t’i votonim”, ka deklaruar Haradinaj.
Zemaj: Me këtë sjellje të LVV-së nuk mendoj që ka diqka të re, nuk votojmë asnjë kandidat nga Vetëvendosje
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj për RTV21 ka thënë se nuk pritet asnjë e re nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Me këtë sjellje të LVV-së nuk mendoj që ka diqka të re, po vazhdon ngërçi politik fatkeqësisht në kurriz të qytetarëve të vendit por edhe në kurriz të mos zhvillimit të vendit”, tha ai.
Zemaj deklaroi se lidhur me pasojat e Kosovës duhet të ketë përgjegjësi.
“Në këto pasoja duhet të ketë edhe përgjegjësi. Në pa përgjëgjësinë e Albin Kurtit dhe LVV-së duket që kjo do të jetë deri në këtë 30 ditëshin që e ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese”, theksoi deputeti i LDK-së.
Ai shtoi se ata nuk do të votojnë asnjë kandidat të LVV-së. /21Media
Mustafa: LDK nuk voton asnjë kandidat me partinë e të cilit nuk ka marrëveshje politike
Deputeti i betuar i LDK-së, Besian Mustafa ka thënë se kjo parti nuk voton asnjë kandidat për kryetar të Kuvendi me të cilin nuk kanë marrëveshje politike paraprake.
“LDK nuk voton ndonjë kandidat me të cilin, apo me partinë e të cilit nuk ka marrëveshje politike paraprake. Është shumë e thjeshtë, shumë e qartë”, u shpreh Mustafa para nisjes së seancës konstituive.
Teksa ai shtoi se sot pritet të shihet nëse VV është e gatshme të gjej një kompromis për të konstituuar Kuvendin e Kosovës.
Qalaj: Presim kush do të jetë kandidat dhe pastaj presim një iniciativë nga partia që ka më së shumti vota
Partia Demokratike e Kosovës mbetet e vendosur se nuk voton kandidatë të Vetëvendosjes për kryeparlamentar që kanë mbajtur pozita në Qeveri.
Deputeti Rashit Qalaj ka thënë se presin iniciativë nga Vetëvendosja dhe se PDK-ja është e hapur.
“Nuk votojmë askënd i cili ka qenë pjesë e Qeverisë së Kosovës, ndërsa për kandidatë të tjerë mbetet të shihet si do të votojmë. Presim kush do të jetë kandidat dhe pastaj presim një iniciativë nga partia që ka më së shumti vota, nëse ata duan të krijojnë shumicën parlamentare, PDK është e hapur, kemi marrë pjesë në të gjitha bisedimet”, ka thënë Qalaj.
Bekë Berisha thotë se do ta votonte Agim Bahtirin për kryeparlamentar
Deputeti i Vetëvendosjes Agim Bahtiri, ka arritur në Kuvendin e Kosovës për vazhdimin e seancës konstituive.
Në oborrin e Kuvendit, ai u takua me deputetin e AAK-së, Bekë Berisha.
Bahtiri u pyet nëse do të propozohet sot për kryeparlamentar dhe nëse e pret votën e Bekë Berishës.
“Agimit unë ia qes votën” – tha ky i fundit.
Pa marrëveshje politike, vazhdon seanca konstituive e Kuvendit
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish sot, në orën 11:00, për të vazhduar seancën konstituive, në përpjekje për të zgjedhur kryetarin e ri.
Vazhdimi i kësaj seance vjen pas dështimit për të zgjedhur kryeparlamentarin të mërkurën, ku Lëvizja Vetëvendosje, si partia me më së shumti deputetë, propozoi fillimisht Albulena Haxhiun, e më pas Donika Gërvallën për kryetare të Kuvendit, por asnjëra prej tyre nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme të votave për t’u zgjedhur.
Të mërkurën në emër të LVV-së, Glauk Konjufca propozoi fillimisht Albulena Haxhiun për kryeparlamentare. Në votimin e hapur, 57 deputetë votuan për, 56 kundër dhe 3 abstenuan. Më pas, Konjufca propozoi edhe kandidaten e dytë – Donika Gërvallën. Edhe në këtë rast, rezultati ishte i njëjtë: 57 vota për, 56 kundër dhe 3 abstenime.
Ngërçi në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit ka vonuar procesin e konstituimit të plotë të institucioneve pas zgjedhjeve, duke thelluar kështu krizën institucionale në vend.