Në ditëlindjen e tij të 23-të, djali i Thaçit me një dedikim emocionues për babain
“Në ditën kur linda ishte kohë lufte, babin nuk e kisha afër. Ishte në zjarrin e luftës për liri. Sot në ditëlindjen time të 23-të, është kohë lirie, por atë sërish nuk e kam afër”, ka shkruar Endrit Thaçi, i biri i ish-presidentit Hashim Thaçi në fotografinë që ka shpërndarë në InstaStory me babain e tij.
Ndonëse nuk e ka afër, Endriti u shpreh i lumtur që ka biseduar me të përmes telefonit dhe e mori urimin për ditëlindje nga babai i cili ndodhet në Hagë.
“Tani është në mbrojtje të luftës, që me përkrahjen e aleatëve, na solli lirinë. Jam shumë i lumtur që sapo ia dëgjova zërin dhe mora urimin prej tij. Më mungon shumë babi, por krenohem me ty”, ka shkruar ai tutje krahas fotografisë.

Ndryshe, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është akuzuar më 5 nëntor të 2020. Sipas aktakuzës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.
Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?