Në shkollat e mesme të Prishtinës ligjërohet kundër dhunës në baza gjinore

Nxënësve në shkollat e ciklit të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë në Prishtinë gjatë ditës së sotme u është ligjëruar kundër dhunës në baza gjinore.

Nënkryetarja e Prishtinës, Jehona Lushaku – Sadriu, ka mbajtur një ligjëratë në një nga klasat e gjimnazit “Sami Frashëri”, ku tha se është e rëndësishme që edhe nxënësit të kenë rolin e tyre në familje duke kërkuar dialog e duke raportuar dhunën që mund të ndodhë brenda shkollave.

“Është e rëndësishme që edhe ju të merrni një rol në familje, edhe ju të kërkoni, të kërkoni përgjigje prej prindërve, edhe problemet tuaja janë problemet e prindërve. Kur flasim për dhunën në raste ekstreme, flasim për fenomene edhe se femicidi është akti kur gratë vriten vetëm se janë gra. Statistikat po tregojnë që gratë po vriten kur ka dhunë në familje”, ka thënë Lushaku- Sadriu .

Ndërsa, psikologja e shkollës Besarta Murtezi, tha se është e rëndësishme që brenda familjes të trajtohen edhe dhuna psikike e emocionale që shkaktohet, pasi që tek ne rastet trajtohen vetëm pas dhunës fizike.

“Para 15 viteve kemi bërë një hulumtim të madh në nivel të Kosovës në UP në Fakultetin e Psikologjisë edhe bashkë me rrjetin e grupeve të grave të Kosovës e kemi përsëritur pas 10 viteve të njëjtin hulumtim krejt Kosovën për dhunën në familje në baza gjinore. Para 15 vite ka qenë ekstrem e shprehur dhuna në familje, hala më shumë se sa që është e dukshme, mirëpo ka qenë dhunë psikologjike, emocionale përveç fizikes. Tek ne ka fatkeqësisht e marrin vetëm kur ndodh fizikja, sepse shkon të vrasja e e marrin se çka ka ndodhur, në ekstrem ka dhunë psikologjike dhe emocionale nëpër familjet tona”, tha Murtezi.

Kujtojmë se brenda katër ditëve në Kosovë janë vrarë dy gra nga burrat e tyre.

Back to top button