Opozita kërkon seancë të jashtëzakonshme për abuzimin e të miturës
Dorëzohet kërkesa në Kuvend
Partitë opozitare (VV, LDK dhe Alternativa), sot kanë njoftuar se kanë dorëzuar një kërkesë për një seancë të jashtëzakonshme lidhur me rastin e të miturës në Drenas.
Sipas kërkesës kjo seancë duhet të mbahet nesër nga ora 12:00.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! së bashku me Grupin parlamentar të LDK-së dhe Alternativa-s, dorëzoi kërkesën për seancë të jashtëzakonshme lidhur me ngacmimin seksual, përdhunimin dhe kryerjen e abortit të paligjshëm ndaj të miturës dhe përgjegjësinë institucionale”, thuhet në njoftimin e partive opozitare.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar lidhur me rastin e dhunimit të së miturës në Drenas nga mësimdhënësi dhe hetuesi policor. Thaçi e ka quajtur këtë rast si më të tronditës që prej pas luftës në Kosovë. Ai po ashtu ka kërkuar nga organet që ta hetojnë rastin. Ndërsa, Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se është i tronditur me këtë ngjarje dhe ka siguruar familjarët e viktimës se ky rast do të trajtohet seriozisht nga organet e drejtësisë. Kryeministri Haradinaj po ashtu u ka bërë thirrje vajzave dhe grave të cilat janë cak i dhunimeve që t’i raportojnë dhunuesit.
Iniciativa e Të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë, mbajtën sot një protestë para Stacionit Qendror të Policisë në Prishtinë. Lidhur me këtë rast, nesër në Drenas është paralajmëruar një protestë tjetër.
Pas raportimit të ngjarjes ishte arrestuar zyrtari policior me inicialet V.V ku sot i njëjti ka dalë para gjykatës. Bekim Kafegjolli, avokat i policit të dyshuar për dhunimin e të miturës është deklaruar para gazetarëve pas përfundimit të seancës dëgjimore me kërkesë të prokurorit lidhur me përcaktimin e paraburgimit. Kafegjolli ka thënë se nuk janë përmbush kushtet ligjore lidhur me caktimit të paraburgimit.
Gjithashtu sot është arrestuar edhe profesori me inicialet Sh. Xh.
Ditën e martë në media u raportua se e mitura nga Drenasi ishte keqpërdorur seksualisht nga profesori SH. XH dhe nga hetuesi policor V. V, ky i fundit e kishte lënë shtatzënë të miturën e pastaj e kishte detyruar që të abortojë. Polici në fjalë është arrestuar. Lidhur me rastin Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka mbajtur një konferencë për media, ku ka treguar për rrjedhshmërinë e ngjarjes. Ai po ashtu ka bërë të ditur se mësimdhënësi SH. XH është ripezulluar nga puna./21Media