Osmani dhe Meta në shënimin e 110-vjetorit të Kuvendit të Junikut

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta sot do të qëndrojë në Kosovë, ku së bashku me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani do të marrin pjesë në shënimin e 110-vjetorit të Kuvendit të Junikut i paraparë të mbahet prej orës 13:00.
Parapakisht, presidentët Osmani dhe Meta do të vendosin lule te busti i heroit Edmond Hoxha në Junik.
Kuvendi i Junikut ishte mbajtur prej 21 deri më 25 maj 1912 në Junik me nismën e Hasan Prishtinës dhe në të kishin marrë pjesë 250 delegatë nga Vilajeti i Kosovës, sanxhakët e Dibrës, të Shkodrës dhe të Elbasanit. Falë përpjekjeve të Hasan Prishtinës, Bajram Currit dhe Isa Boletinit janë paralizuar veprimet e elementëve turkomanë në radhët e lëvizjes.
Shumica e pjesëmarrësve të Kuvendit kishin vendosur të vazhdohej kryengritja e armatosur, kësodore ishte lidhur besa dhe ishte vendosur të ndërmerrej një kryengritje e përgjithshme.
Kuvendi kishte miratuar programin politik, i cili kishte përmbajtur kërkesa për autonominë e Shqipërisë, vendosjen e administratës shqiptare, caktimin e gjuhës shqipe me alfabet kombëtar si gjuhë zyrtare, ngritjen e flamurit shqiptar në gjithë vendin dhe garancinë e Fuqive të Mëdha për plotësimin e kërkesave.

Back to top button