Osmani ftohet nga presidentja e Zvicrës për vizitë shtetërore në datat 21-22 maj
Me ftesë të Këshillit Federal të Zvicrës, të udhëhequr nga presidentja e Konfederatës së Zvicrës, Karin Keller-Sutter, presidentja Vjosa Osmani dhe Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, janë ftuar për vizitë shtetërore në Konfederatën Helvetike më 21-22 maj, duke shënuar kësisoj vizitën e parë shtetërore të një kreu të shtetit të Kosovës në Zvicër.
Kjo është bërë e ditur përmes një postimi të Presidencës në rrjetin social Facebook.
Osman do të pritet me ceremoni shtetërore dhe nderime të larta ushtarake nga Presidentja e Konfederatës së Zvicrës, Karin Keller-Sutter, në sheshin qendror Bundesplatz në Bern dhe ajo pritet të takohet edhe me Presidenten e Zvicrës dhe Këshillin Federal, ku do të mbajë fjalim në Parlamentin e Zvicrës.
“Presidentja Osmani do të pritet me ceremoni shtetërore dhe nderime të larta ushtarake nga Presidentja e Konfederatës së Zvicrës, znj. Karin Keller-Sutter, në sheshin qendror Bundesplatz në Bern, më 21 maj në prezencë edhe të qytetarëve të shumtë. Në kuadër të agjendës zyrtare, Presidentja Osmani do të mbajë takime me Presidenten e Zvicrës dhe Këshillin Federal, si dhe do të mbajë fjalim në Parlamentin e Zvicrës. Poashtu, të dyja presidentet do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media. Për nder të Presidentes Osmani dhe delegacionit nga Kosova, Presidentja Keller-Sutter do të organizojë banket shtetëror, duke nderuar kësisoj miqësinë e qëndrueshme dhe partneritetin në mes dy shteteve. Në ditën e dytë të vizitës, Presidentja Osmani dhe Presidentja Keller-Sutter do ta vizitojnë një ndërmarrje prodhuese në pjesën lindore të Zvicrës, si dhe një qendër të Universiteti Saint Gallen, e cila është e përkushtuar për zhvillimin e kulturës së të nxënit dhe të mësimdhënies, fusha me rëndësi të veçantë për të ardhmen e të rinjve në Kosovë dhe Zvicër”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq në Gjenevë, Osmani do ta ketë një takim me mërgatën shqiptare, e cila jeton dhe vepron në Zvicër.
“Vizita shtetërore e Presidentes Osmani jo vetëm që ka karakter historik, por edhe simbolik, pasi thekson marrëdhëniet e ngushta, të qëndrueshme dhe shumëdimensionale ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës. Ato janë marrëdhënie të ndërtuara mbi historinë e përbashkët, vlerat demokratike dhe një bashkëpunim të ngushtë shtetëror”, thuhet në njoftimin e presidencës. /21Media