Osmani për Rugovën: Ai qe vërtetë i biri i Kosovës

(Lajm i përditësuar)


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka quajtur at themeltar të shtetit ish-presidentin Ibrahim Rugova.

Ajo ka thënë se ishte prijës i ditur e i urtë dhe kishte lidhje të fortë edhe me popullin e tij.

“Ai qe vërtetë i biri i Kosovës. I shërbeu deri në frymën e fundit vendit. Ja kushtoi jetën Kosovës. Ai qe mobilizues i jashtëzakonshëm i një populli të tërë mbi vlerat e lirisë. Ai nuk ngurroi ta shprehte kërkesën për lirinë e individit dhe të popullit. Duke e kërkuar atë, ai u shndërrua në model të prijësit”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se Rugova i dha politikës dimensionin human.

Sipas saj, në personalitetin e Rugovës është simbolizuar historia e një kombi të sprovuar ndër shekuj.

E para e vendit tha se Rugova fliste shkurt por fjalët i kumbonin shumë.


Kurti për Rugovën: E kujtojmë për kontributin në ndërkombëtarizimin e ҫështjes së Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë homazhe tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, me rastin e 18-vjetorit të vdekjes së tij.

Kurti pas homazheve u shpreh se Rugovën e kujtojmë për rolin dhe kontributin në ndërkombëtarizimin e ҫështjen së Kosovës dhe, siҫ u shpreh ai, në kombëtarizimin e rezistencës civile.

“Sot në 18-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta e kujtojmë për rolin dhe kontributin në ndërkombëtarizimin e ҫështjen së Kosovës dhe në kombëtarizimin e rezistencës civile”, tha Kurti.


Osmani: Rugova ndërtoi aleanca që edhe sot i duhen Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë sot homazhe tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova në 18 vjetorin e vdekjes së tij.

Osmani u shpreh se Rugova ishte ati themeltar dhe arkitekti i pavarësisë së Kosovës.

“Sot përkujtojmë presidentin historik të Kosovës, presidentin Ibrahim Rugova, atin themeltar dhe arkitektin e pavarësisë së vendit tonë, njeriun që ia kushtoj çdo ditë të jetës së tij lirisë dhe pavarësisë së vendit dhe punoj bashkë me popullin e Kosovës dhe aleatët tanë në mënyrë që sot ta gëzojmë këtë ditë”, u shpreh Osmani.

Presidentja më tej shtoi se do të punojnë në përmbushjen e plotë të vizionit të ish-presidenti Rugova, që ishte për një Kosovë të pavarur dhe të integruar në BE e NATO.


Osmani dhe Kurti bëjnë homazhe te varri i ish-presidentit Rugova

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i vendit, Albin Kurti kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova në 18-vjetorin e vdekjes së tij duke vendosur kurora lulesh.

Po ashtu homazhe kanë bërë ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier dhe shefi i zyrës së BE-së në Kosovës, Tomas Szunyog.


18 vjetori i vdekjes së Rugovës, Osmani do bëjë homazhe te varri i tij

Sot shënohet 18 vjetori i vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, ndërsa presidentja Vjosa Osmani do të bëjë homazhe te varri i tij në ora 09:30.

Po ashtu, nga ora 11:00 Osmani do të marrë pjesë dhe do të mbajë fjalim në Akademinë Përkujtimore.

“Në orën 09:30, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, bën homazhe te varri i Presidentit Dr. Ibrahim Rugova, në 18 vjetorin e vdekjes. Në orën 11:00, Presidentja Osmani merr pjesë dhe mban fjalim në Akademinë Përkujtimore në 18 vjetorin e vdekjes së Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes.


18 vjet nga vdekja e ish-presidentit Ibrahim Rugova

Sot mbushen 18 vjet nga vdekja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai ndërroi jetë më 21 janar të vitit 2006, ku u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në Cercë të Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ibrahim Rugova shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen në Pejë, më 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e kreu në Prishtinë. Gjatë vitit akademik 1976-77 qëndroi në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e profesor Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984.

Në vitin 1996 doktor Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re” dhe revistën shkencore “Dituria” (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Një kohë punoi edhe në revistën “Fjala”. Mandej, për afro dy dekada, Rugova veprimtarinë shkencore e zhvilloi në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës “Gjurmime albanologjike” të këtij Instituti. Me krijimtari letrare u mor që nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë.

Rugova më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare kundër sundimit komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.

Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK, nën udhëheqjen e tij, u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes.

Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i Kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumë-partiake për Kuvendin e Kosovës, më 24 maj 1992.

Doktor Ibrahim Rugova u zgjodh president i Republikës së Kosovës. Ai u rizgjodh në këtë post në zgjedhjet e mbajtura në mars 1998.

Nën udhëheqjen e tij, LDK-ja fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor 2000, si dhe në zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK fitoi edhe zgjedhjet nacionale më 2004.

Doktor Ibrahim Rugova u zgjodh president i Kosovës në mars 2002 dhe u rizgjodh më 2004.

Ai ndërroi jetë më 21 janar 2006 në Prishtinë dhe u varros në “Bregun e Diellit”, me nderimet më të mëdha të popullit të Kosovës.

Në përvjetorin e vdekjes më 21 janar 2007, presidenti Fatmir Sejdiu, dekoroi presidentin historik të Kosovës me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vend që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës që kanë bërë “vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Ibrahim Rugova ka botuar këto vepra:

– Prekje lirike, Rilindja, Prishtinë, 1971

– Kah teoria, Rilindja, Prishtinë, 1978

– Bibliografia e kritikës letrare shqiptare 1944-1974, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1976 (së bashku me Isak Shemën)

– Kritika letrare (nga De Rada te Migjeni), Rilindja, Prishtinë, 1979 (së bashku me Sabri Hamitin)

– Strategjia e kuptimit, Rilindja, Prishtinë, 1980

– Vepra e Bogdanit 1675-1685, Rilindja, Prishtinë, 1982

– Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1986

– Refuzimi estetik, Rilindja, Prishtinë, 1987

– Pavarësia dhe demokracia, Fjala, Prishtinë, 1991

– Çështja e Kosovës, Dukagjini, Pejë, 1994

– Kompleti i veprave të Ibrahim Rugovës në tetë vëllime, Faik Konica, Prishtinë, 2005

Çmimet dhe titujt ndërkombëtarë të Ibrahim Rugovës:

– Më 1995, Dr. Ibrahim Rugovës iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë

– Më 1996, Dr. Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII, Sorbonë, Francë

– Më 1998, Dr. Ibrahim Rugovës iu nda Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian

– Në vitin 1999, Dr. Rugova mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster, Gjermani, ndërsa u shpall qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedik, Milano dhe Breshia

– Në vitin 2000, Dr. Ibrahim Rugova mori çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguerra” në Barcelonë, Spanjë

– Në vitin 2004, Dr. Ibrahim Rugova u nderua me Çmimin e Evropës, Senator Nderi nga Fondacioni panevropian Coudenhove-Kalergi

– U nderua gjithashtu nga Komonuelthi i Pensilvanisë (SHBA), “Mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”

– Më 2004, Dr. Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Tiranës.

Back to top button