Osmani: “Shtëpia është e Zotit dhe e Mikut”, me këtë mirëseardhje t’i presim afganët
Presidentja Vjosa Osmani, bëri të ditur se më 16 korrik, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë Philip Kosnett, i ka përcjellur kërkesën e presidentit Joe Biden dhe sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, për strehimin e përkohshëm të afganëve.
Osmani tha se pa asnjë hezitim apo kushtëzim të vetëm, ka dhënë pëlqimin e saj për një operacion të tillë humanitar.
“Duke u nisur së pari nga parimi njerëzor se nuk i mbyllen dyert atyre që pa fajin e dëshirën e tyre janë të detyruar të lënë vatrat e tyre për t’i ikur përndjekjeve dhe për të shpëtuar jetë; së dyti, për shkak se si anëtare e denjë e komunitetit të shteteve të lira, Kosova e respekton të drejtën ndërkombëtare dhe obligimin që rrjedh nga ajo për mos t’i mbyllur derën refugjatëve; dhe e treta, për shkak se ne duhet t’u qëndrojmë miqve tanë, e sidomos Shteteve të Bashkuara në krah, ashtu sic na qëndruan ata neve në të mirë e në të keq”, tha Osmani.
Tutje ajo tregoi se “qytetarët afganë do ta kenë të kryer të gjithë vlerësimin e sigurisë nga ana e Shteteve të Bashkuara, sepse ata edhe ashtu do të qëndrojnë vetëm përkohësisht në Kosovë deri sa të rregullohet dokumentacioni i tyre për vizat e emigrimit për në SHBA ku do të vendosen pastaj. Qeveria e Kosovës, menjëherë pas kërkesës dhe diskutimit e dakordimit institucional, ka formuar grupin punues që merret me çështjet organizative bashkë me partnerët tanë amerikanë. Ka qenë kërkesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kjo çështje të mbetet konfideciale për arsye të sigurisë dhe të procesit të largimit të qytetarëve afganë nga Afghanistani. Si të tillë, ne e kemi respektuar këtë kërkesë, por punën nuk e kemi ndalur”.
Osmani theksoi se Kosova gjithnjë do të jetë në anën e humanizmit, paqes e demokracisë.
“Të dashur qytetarë, askush më mirë se ne nuk e di çka do të thotë të dëbohesh e të largohesh me dhunë nga vendi ku je rritur, të ndahesh nga më të dashurit, të detyrohesh të ikësh për të shpëtuar jetën. Atëherë, shumë vende anembanë botës, hapën dyert për ne pa asnjë kërkesë e asnjë kusht. Na shpëtuan. 22 vite pas atij tmerri, tani Kosova do të dëshmojë se ne kurrë nuk e humbim njerëzoren brenda nesh. Populli ynë i urtë thotë: ‘Shtëpia është e Zotit dhe e Mikut”. Me këtë mirëseardhje ne duhet t’i presim miqtë tanë për të shpëtuar jetë, ashtu siç na shpëtuan ne bota demokratike, kur patëm më së shumti nevojë. Kosova gjithnjë do të jetë në anën e humanizmit, paqes e demokracisë”, theksoi presidentja./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?