Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka takuar sot koordinatoren e OKB-së për Zhvillim, Ulrika Richardson.

Me këtë rast, Osmani e falënderoi koordinatoren Richardson për kontributin e ekipit të Kombeve të Bashkuara të Kosovës në menaxhimin e pandemisë dhe sidomos për donacionet e dhëna. Njëkohësisht, Osmani e njoftoi atë për marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara në Kuvend.

Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për rëndësinë dhe përgjegjësitë e palëve në situatën pandemike dhe për hapat që duhet të ndërmerren në mënyrë që të balancohet nevoja për rimëkëmbje ekonomike me domosdoshmërinë për të parandaluar zgjerimin e infeksionit me virus, si shkaktar i situatës aktuale.

Osmani përmendi kërkesat drejtuar vendeve dhe organizatave donatore për pajisje mjekësore dhe masa parandaluese, për të lehtësuar punën e institucioneve në menaxhimin e pandemisë.

Më tutje, bashkëbiseduesit potencuan se gjatë kësaj kohe është zbehur fokusi tek Agjenda e vitit 2030 dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG), dhe shprehën gatishmërinë e tyre për të ndihmuar në avancimin e kësaj agjende në Kosovë. Me këtë rast, u theksua nevoja për funksionalizimin e këshillit të SDG-ve në kuadër të Kuvendit, dhe Richardson shprehu gatishmërinë e UNKT-së për të ndihmuar në këtë aspekt.

Temë tjetër e diskutuar ishte Kodi Civil dhe disa aspekte të tij, të cilat së shpejti pritet të trajtohen nga Kuvendi i Kosovës.