Pacolli pas rastit në Drenas kërkon veprim urgjent institucional

“Rasti i nëpërkëmbjes dhe cenimit deri në skllavërim, i një vajze 16 vjeçare, dëshmon dështimin e një morie institucionesh”

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli ka reaguar pas rastit që ndodhi në komunën e Drenasit ku një vajzë 16 vjeçare u abuzua seksualisht nga mësuesi i saj dhe një polic.

Pacolli këtë rast e ka quajtur monstruoz dhe se pikërisht është ky rasti i nëpërkëmbjes dhe cenimit deri në skllavërim që dëshmon dështimin e një mori institucionesh.

I alarmuar nga rasti i sotshëm monstruoz i shkeljes së dinjitetit dhe i fyrjes që i bëhet vlerave e traditës sonë, si dhe cenimit të vet themeleve ligjore e institucionale nuk mund të qëndroj indiferent nga ajo çfarë pamë e dëgjuam sot. Rasti i nëpërkëmbjes dhe cenimit deri në skllavërim, i një vajze 16 vjeçare, dëshmon dështimin e një morie institucionesh, prandaj së shpejti do të propozoj që sikurse në botën e civilizuar dhe demokratike, këta shkelës monstruoz dhe kushdo që guxon të prek nderin dhe moralin e tjetrit, të konfirmuar me vendim nga një gjykate, me automatizëm të figuroj në një listë publike të ofenduesve seksual. Atyre do t’ju ndalohej ushtrimi i çfarëdo roli a pozite zyrtare. Madje një listë dhe masë e ngjashme, do të duhej t’i nxirrte siç janë, edhe ata që dënohen për korrupsion.

Kupa është mbushur, duhet veprim urgjent institucional!”, ka shkruar ai në rrjetin social, Facebook.

Për këtë rast kanë reaguar edhe presidenti, Hashim Thaçi si dhe kryeministri, Ramush Haradinaj.

Dje në media u raportua se e mitura nga Drenasi ishte keqpërdorur seksualisht profesori SH. XH dhe nga hetuesi policor V. V, ky i fundit e kishte lënë shtatzënë të miturën e pastaj e kishte detyruar që të abortojë. Polici në fjalë është arrestuar, kurse mësimdhënësi është pezulluar nga puna./21Media

Back to top button