Paga minimale, Murati: Ata që për mbi një dekadë e lanë në 130/170 euro, sot e paskan dërguar Ligjin në Kushtetuese

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka reaguar pasi Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin për pagën minimale.

Murati përmes një postimi në rrjetet sociale ka akuzuar se pushtetet e kaluara e kanë lënë pagën minimale në 130/170 e tani sipas tij aktualisht po tentojnë ta bllokojnë.

Murati ka shkruar se 80,985 persona paguhen më pak se 264 euro në muaj.

“Janë punëtorët e mirëmbajtjes, sigurimit fizik, arkëtarë, ndërtimtarë e shumë të tjerë që me padurim presin rritjen e pagës minimale. Por, ata që për më shumë se një dekadë e lanë pagën minimale në 130/170 euro, sot e paskan dërguar në Gjykatë Kushtetuese Ligjin për Pagën Minimale, për ta kundërshtuar rritjen që ka propozuar Qeveria Kurti. Pra lëre që ata vetë nuk e rritën pagën minimale sa ishin në pushtet, por tash kur ne e rritëm, po tentojnë që me çdo kusht ta bllokojnë. Pse vallë kanë kaq shumë urrejtje?!”, ka shkruar ai.

Shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, ka dorëzuar të premten në Kushtetuese kërkesën lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk do ta nënshruajë ligjin për pagën minimale deri pas shqyrtimit të këtij ligji nga Gjykata Kushtetuese.

Këtë për portalin rtv21.tv e kanë konfirmuar nga Presidenca e Kosovës.

“Gjykata Kushtetuese sot e ka njoftuar Presidenten Osmani se grupi parlamentar i AAK-së dhe dy deputetë të tjerë kanë kërkuar shqyrtimin e kushtetueshmërisë së Ligjit për Pagën Minimale. Rrjedhimisht, Presidentja Osmani nuk do ta nënshkruajë këtë ligj, përpara se të kryhet shqyrtimi në Kushtetuese”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidencës./21Media

Back to top button