Pas vendimit të Apelit edhe Haradinaj kërkon t’u kthehen paratë qytetarëve

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit që e pezullon vendimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës.
Ai ka thënë se kjo e justifikon kundërshtimin e vazhdueshëm ndaj shtrenjtimit.
“Vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit që e pezullon vendimin e ZRRE-së për shtrenjtimit e rrymës, e justifikon kundërshtimin tonë të vazhdueshëm ndaj shtrenjtimit. Me të drejtë e kemi vlerësuar që qytetarët po vidhen, e sot jemi të lumtur që gjykata vihet në shërbim të mbrojtjes së interesit publik. Presim që qeveria të marrë vendim të shpejtë që paratë që iu morën qytetarëve përmes faturave të fryra, t’u kthehen pa vonesë”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.
Edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka theksuar se kthimi i mjeteve te qytetarët, rishikimi i menjëhershëm i tarifave të energjisë, si dhe shkarkimi i Bordit të ZRRE-së, janë hapa të domosdoshëm që Qeveria e Kosovës dhe Albin Kurti duhet t’i ndërmarrin sa më parë.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 8 prill 2022 kishte aprovuar si të bazuar propozimin e paditëses/propozueses Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe kishte pezulluar vendimin e ZRrE-së për tarifat e reja për energji elektrike.
Paraprakisht, ZRrE-ja më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike.
Pavarësisht se Themelorja pati vendosur ta pezullojë vendimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës, faturat qytetarëve u kanë shkuar me tarifat e reja./21Media

Back to top button