PDK: Luftimi i korrupsionit nuk ka qenë asnjëherë përpjekje serioze e kësaj qeverie

Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se ndërhyrja në drejtësi dhe mbrojtja e njerëzve të korruptuar është vërtetuar edhe dje në indeksin e perceptimit të korrupsionit të publikuar nga “Transparency International”. Sipas kësaj partie, Kosova po udhëhiqet nga një qeveri e korruptuar, e paaftë dhe e dëmshme për vendin.

Në konferencë për media, Përparim Gruda nga PDK tha se luftimi i korrupsionit nuk ka qenë kurrë një përpjekje serioze e qeverisë.

“Ndërhyrja në drejtësi dhe mbrojtja e njerëzve të korruptuar është vërtetuar dje edhe në indeksin e përceptimit të korrupsionit të publikuar “Transparency International, i cili indeks e rendit Kosovën në pozitën e 83-të në rang botëror dhe konstaton në mënyrë të qartë që Kosova nuk ka pasur asnjë progres në luftën kundër korrupsionit nga viti i kaluar. Kosova këtë vit sipas këtij indeksi të “Transparency International” është renditur njëjtë me vendet sikur Afrika e Jugut dhe Vietnami. Por ajo që është më shqetësuese dhe që besoj është skandaloze është që ky raport evidenton në mënyrë të qartë mungesën e vullnetit politik të Qeverisë së Kosovës për ta luftuar korrupsionin”, deklaroi ai.

Gruda shtoi se raporti thekson edhe sabotimin e mazhorancës parlamentare për konstituimin e komisionit për rezervat shtetërore.

“Për më tepër në raport ka të dhëna konkrete, shqetësuese, dy janë më kryesoret. Transparency International ka thënë që shkarkimi i drejtorit të njësisë së veçantë të hetimeve në Policinë e Kosovës ka qenë ndërhyrje politike e Qeverisë së Kosovës për të mbrojtur njerëzit e saj të korruptuar. Ajo njësi ishte duke hetuar drejtorin e KEK-ut Nagip Krasniqi, i cili ka mbajtur paraburgim dhe është nën akuzë për përfshirje në korrupsion në çështje të energjisë. Transparency International ka thënë që shkarkimi i këtij zyrtari ishte bërë për të mbrojtur njerëz të korruptuar të qeverisë”, shtoi ajo.

Para mediave, ai i bëri thirrje qeverisë që të ndalojë sulmet ndaj organeve të drejtësisë.

“Prandaj, në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, i bëjmë edhe një herë thirrje Qeverisë, siç kemi bërë për tri vite rresht që e para të ndalojë menjëherë sulmet ndaj organeve të drejtësisë, të ndalojë ndërhyrjet ndaj këtyre organeve, ndërhyrjet ndaj punës së pavarur, të ndalojë përpjekjet e saj për të mbrojtur njerëzit e korruptuar dhe t’i hapë rrugë hetimeve të pavarura, të paanshëm deri në zbardhjen e së vërtetës për të gjitha aferat korruptive, që kjo qeveri dhe zyrtarët e saj janë të përfshirë në aferat të cilat tashmë siç thash deri më tash janë evidentuar nga organizata ndërkombëtare”, përfundoi ai.

Back to top button