Vuçiq zhvilloi takim urgjent me ministrat serb lidhur me vendimin BQK-së

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mbajtur sot një takim urgjent me disa ministra të Qeverisë së Serbisë, pas vendimit për ndalimin e qarkullimit të dinarit serb në Kosovë.

Në takimin e mbajtur në Presidencën e Serbisë u bisedua për hapat e radhës që do të ndërmarrë Beogradi në lidhje me këtë çështje, raportojnë mediat serbe.

Më 29 janar, Vuçiq gjatë një takimi në Beograd me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka kërkuar anulimin e vendimit të BQK-së.

Qeveria Kosovës ka argumentuar se vendimi i BQK-së është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të QUINT-it, Italia, Gjermania, Britania dhe Franca, kanë thënë se ky vendim “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”, transmeton rtv21.tv.

Lista Serbe e cila është partia kryesore e serbëve në Kosovë dhe gëzon mbështetjen e Serbisë, ka thënë se vendimi i BQK-së rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë.

Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë.

Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale, pra në zonat ku banojnë serbët në Kosovë, përveç euros përdoret edhe dinari.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe shtetet e QUINT-it i kanë bërë thirrje Kosovës që të shtyjë zbatimin e rregullores së BQK-së, që pritet të hyjë në fuqi më 1 shkurt./21Media

Back to top button