Policia jep detaje për vdekjen 64-vjeçarit nga zjarri në Malishevë

Një burrë 64 vjeçar nga fshati Novosellë i Malishevës dje ka humbur jetën. 64 vjeçari dyshohet se vdiq si pasojë e asfiksimit nga tymi i shtallës e cila edhe pse zjarri ishte shuar ende tymonte.
Viktima ishte dërguar në QKMF pa shenja jete, ku edhe është konstatuar vdekja e tij nga ekipi mjekësor.
Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës ka thënë se sipas deklaratave të familjarëve, dyshohet se viktima diku rreth orës 01:00 pas mesnate më datë (03.08.2021) ishte zgjuar dhe kishte shkuar te stalla e tij e cila ishte përfshirë nga zjarri, më 02.08.2021, që të sigurohej nëse zjarri ishte shuar plotësisht apo nëse është riaktivizuar. Familjarët e kishin gjetur viktimën rreth një orë më vonë dhe e kishin dërguar në QKMF.
Sipas policisë stalla dyshohet se është djegur si pasojë e lidhjeve të shkurtëra në rrjet elektrik shkaku i erërave të forta.
Pas konsultimeve me prokurorin e shtetit rasti është kualifikuar si ‘hetim i vdekjes’, për hetim të rastit janë angazhuar hetuesit e Sektorit të Hetimeve Rajonale Gjakovë. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion./21Media

Back to top button