Prindërit thonë se është për keqardhje se si arsimi trajtohet nga Qeveria

Këshilli i Prindërve i Kosovës vlerëson se vonesa në miratimin e Ligjit të Pagave dhe mos zhvillimi i dialogut social Qeveri-Sindikata është duke nxitur reagimin edhe të të punësuarve në sektorin e arsimit, qoftë përmes protestave e grevave, të drejta këto që u janë garantuar me ligj.
Por ndërsa Qeveria nuk lëviz në miratimin e Ligjit të Pagave, sipas premtimeve të dhëna nga vetë ajo, e njëkohësisht nuk interesohet për dialogun social dhe nga ana tjetër SBASHK-u ka argumente valide për nivelin e pamjaftueshëm të pagave në arsim dhe të drejtën ligjore për të marrë masa të tilla veprimi, Këshilli thotë se prindërit bashkë me fëmijët janë pala e vetme e dëmtuar në këtë proces dhe pa mjete ligjore për të mbrojtur të drejtat e tyre kushtetuese.
“Ne vazhdojmë ta paguajmë faturën e mos veprimeve, nganjëherë edhe inateve, në mes të punëdhënësit (në këtë rast Qeverisë së Kosovës) dhe punëmarrësve, në këtë rast mësimdhënësve në sektorin e arsimit publik. Ne gjykojmë se është për keqardhje se si arsimi vazhdon të trajtohet (sidomos) nga qeverisja në Kosovë, duke besuar fort se një nga arsyet kryesore të emigrimit të qytetarëve nga Kosova është mosbesimi në të ardhmen e fëmijëve të tyre. Andaj jo rastësisht për 12 vjet i kemi rreth 100 mijë nxënës më pak në sistemin edukativo-arsimor parauniversitar në Kosovë. Sidoqoftë rezultati i këtij procesi, dhe kushdo qoftë “fituesi” në cak, sigurt është që sistemi publik edukativo-arsimor në Kosovë është pandalshëm në degradim”, thuhet në reagimin e Këshillit të Prindërve të Kosovës.
Të punësuarit në të gjitha institucionet e Kosovës në nivel vendi, nën ombrellën e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), do të protestojnë sot në kërkim të realizimit të disa kërkesave të tyre.
Duke qenë se pjesë e BSPK-së është edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit (SBASHK), dhe do të jetë pjesë e protestës, mësimi në të gjithë vendin nga arsimi fillor deri në universitete nuk do të mbahet. Kjo pasi, sipas SBASHK-ut, të gjithë mësimdhënësit do të nisen drejt Prishtinës në mënyrë të organizuar./21Media

Back to top button