“Prioriteti mbi prioritetet” e Ballazhit për Hanin e Elezit

Të gjitha punët që mbetën në gjysmë në Komunën e Hanit të Elezit, kryetari i ri, Mehmet Ballazhi thotë se i ka vazhduar.
Ballazhi në një intervistë për portalin rtv21.tv ka treguar se cili është projekti më i madh apo “prioriteti mbi prioritetet” e tij gjatë këtij mandai si kryetar Komune.
Ai po ashtu ka folur edhe për ndryshimet që i bëri më të ardhur në pushtet.
“Të gjitha projektet që janë në proces i kemi vazhduar me theks të veçantë Shtëpinë e Kulturës “Imri Curri”; funksionalizimin e fabrikës së ujit në fshatin Dimcë. Ndërsa projekt i ri është “Parku i qytetit”. Jemi në fazën e projektimit dhe sipas planifikimeve tona do të përfundojë në periudhën qershor-korrik 2022”, ka thënë Ballazhi.
Ndërsa, ai ka theksuar se shtegu i biçikletave është projekt të cilin e kanë inicuar në kuadër të bashkëpunimit ndërkomunal me Komunën e Kaçanikut duke thënë se “shpresojmë të realizohet”.
Problemi me ujë të pijshëm ekziston edhe në Komunën që udhëhiqet nga Mehmet Ballazhi, por ky i fundit thotë se zgjidhjen e këtij problemi e ka “prioritet mbi prioritetet”.
“Projekti më i madh apo prioritet mbi prioritetet e mia është zgjidhja e çështjes së ujit të pijshëm”, ka thënë kreu i Hanit të Elezit.
Të gjitha projektet natyrisht që kërkojnë edhe buxhet. Ballazhi për rtv21.tv ka treguar sa është buxheti i kësaj komune.
“Buxheti i Komunës së Hanit të Elezit është rreth 2,760,000.00 € në total, ndërsa për Investime Kapitale është afro 400 mijë €”, ka treguar ai.
I pyetur se çka do të ndryshojë/investojë në Han të Elezit diçka që kjo komunë nuk e ka pasur asnjëherë, Ballazhi është përgjigjur se do të angazhohet në vlerat e të rinjëve, po ashtu duke mos e harruar edhe dekorimin e qytetit për festat e fundvitit, i cili i kishte munguar për 12 vjet.
“Në Han të Elezit, ka munguar fryma rinore dhe gjatë mandatit tim, do të angazhohem që të nxirren në pah vlerat e të rinjëve. Poashtu mungesë e madhe kanë qenë edhe investimet kapitale apo investimet në rekreacion, sheshi i qytetit, kurse dekorimi i qytetit për festat e fundvitit tashmë do të jetë i përvjetshëm”, ka thënë Ballazhi.
Hani i Elezit shtrihet në pjesën jugore të Kosovës, afër kufirit me Maqedoninë dhe sipas regjistrimeve të fundit është një komunë me mbi 9 mijë banorë.
Në këtë komunë janë 128 raste sociale. Ballazhi për rtv21.tv ka thënë se përveç përfitimit të ndihmës sociale, disa prej këtyre rasteve janë mbështetur me ndihma të ndryshme nga donatorët si: dru, gjëra ushqimore, veshmbathje.
Sa i përket fushës së arsimit dhe shëndetësisë, Mehmet Ballazhi ka përmedur disa projekte, mirëpo nuk ka dhënë detaje se kur dhe si do të realizohen.
Planet në arsim janë: rritja e cilësisë dhe digjitalizimi i shkollave. Kurse në shëndetësi, primare do të jetë rritja e stafit, funksionalizimi i Ordinancës Stomatologjike, si dhe rregullime të tjera në fushën e administratës, ku do të përfshihet edhe funksionalizimi i AMF-së (Ambulanca e Mjekësisë Familjare) në fshatin Gorancë”, ka thënë Ballazhi.
Mehmet Ballazhi fitoi postin e kryetarit të Komunës së Hanit të Elezit gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2021, duke e mposhtur pas tri mandatesh, Rufki Sumën./21Media

Back to top button