Projektbuxheti i kritikuar mori dritën jeshile

Mes kritikave nga opozita që vërshuan për ditë me radhë, por edhe nga pozita dje Kuvendi i Kosovës miratoi në parim Projektligjin për Buxhetin e viti 2023.
Ky projektligj kaloi me 64 vota pro, e një kundër nga vet deputeti i partisë në pushtet, Fatmir Humolli.
Partia më e madhe opozitare PDK, vlerësoi se projektbuxheti e varfëron edhe më shumë vendin si dhe i mungon ambicia zhvillimore.
Edhe LDK doli kundër duke thënë se ky projektbuxhet nuk e parasheh zbatimin e Ligjit të pagave e as rritjen e pensioneve. Kurse AAK, madje bëri thirrje që të pengohet votimi i projektbuxhetit qoftë edhe me barrikadim, por një gjë e tillë nuk ndodhi.
Sipas AAK ky buxhet e dërgon shtetin në falimentim si dhe godit çdo komunë.
E kritika për projektbuxhetin patën edhe veteranët Kjo pasi që sipas tyre nuk parashihet rritje e të hyrave të kategorive të luftës së UÇK-së.
Ndërkaq, sipas qeverisë me këtë Buxhet po bëhet më shumë për të gjitha kategorisë. Këtë e tha edhe vet Kurti pasi falënderoi deputetët që votuan pro.
“Më shumë për shëndetësinë me më shumë profesionistë shëndetësorë dhe më shumë buxhet për barna esenciale. Më shumë për bujqësinë. Më shumë për kulturën, rininë dhe sportin dhe më shumë për arsimin. Më shumë për zhvillimin e hershëm të fëmijëve përmes më shumë çerdheve dhe më shumë edukatorë e staf për çerdhe. Më shumë për fëmijët nëpërmjet shtesave për ta dhe më shumë asistentë për fëmijë me aftësi të kufizuar. Më shumë për mbrojtjen dhe sigurinë sepse më shumë për ushtrinë dhe policinë. Më shumë inspektorë. Më shumë rezerva shtetërore. Më shumë për ndërmarrjet publike. Më shumë terminale doganore shtetërore. Më shumë për komunat”, shkroi Kurti në Facebook./21Media

Back to top button