Propozohet që pensioni i veteranëve të jetë 500 euro

Mos përfshirja e veteranëve në Projektligjin për pagën minimale ka revoltuar këta të fundit. Veteranët thonë se po ndihen të diskriminuar, andaj për këtë arsye kanë protestuar dje derisa në Kuvend po mbahej seanca për votimin e Projektligjit për ndryshimin e pagës minimale.
Sa i përket kësaj, eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj për portalin rtv21.tv duke vlerësuar lart kontributin e veteranëve ka thënë se atyre u është bërë padrejtësi edhe nga qeveritë e kaluara, por edhe nga kjo aktuale.
Duke përmendur faktin se ka pasur keqpërdorime me statusin e veteranëve duke u përfshirë në lista edhe ata që s’kanë qenë, Kadriaj ka propozuar që veteranët e vërtetë siç i ka quajtur ai të mos përzihen me pagën minimale, por të kenë status të veçantë, me një rritje të pensioneve me të cilën sipas tij do të iu mundësohet një jetë e dinjitetshme.
“Unë jam ithtar i asaj që veteranët mos të përzihen ma rritjen e pagës minimale për faktin se ata janë kategori e veçantë ndoshta nëse flas në veten e parë unë do t’i quaja kategori e artë sepse kanë bërë një punë jashtëzakonisht vetëmohuese dhe sot jemi ku jemi dhe e gëzojmë lirinë padyshim. Në këtë rast besoj se qeveria duhet të ketë parasysh dhe parlamenti në këtë rast pozitë dhe opozitë që për veteranët t’i njeh pagat e dinjitetshme një kompensim të dinjitetshëm që ata nëse nuk iu lejohet të punojnë as në sektorin privat dhe publik atëherë ata duhet ta kenë një kompensim që të mbajnë vetveten dhe familjen dhe për një kompensim të dinjitetshëm unë kam qenë ithtar dhe jam për një kompensim 500 euro minimumi sepse ndryshe nuk mund ta kalojnë muajin me koston e shpenzimeve që ndodh brenda muajit që i dimë secili qytetar.”, ka thënë Mustafë Kadriaj për portalin rtv21.tv.
Mos përfshirjen e veteranëve në pagën minimale, Kadriaj e ka arsyetuar me faktin se sipas tij ata nuk ndikojnë në rritjen dhe produktivitetin ekonomik në vend.
“Sepse paga minimale duhet të jetë për sektorin publik dhe privat për faktin që në bazë të brutoproduktit në bazë rritjes ekonomike në bazë të inflacionit gjithë treguesit tjerë ekonomik të cilët ndikojnë pra duhet të jetë e harmonizuar me nivelin e kërkesave tek shporta e konsumit që edhe qëllimi tjetër që është më madhori – qytetarin dhe fuqinë punëtorit ta mbajmë brenda territorit të Kosovës.”, ka thënë Mustafë Kadriaj.
Megjithatë për të arritur këtë, Kadriaj ka propozuar që paga minimale të jetë minimumi 350 euro.
“Një pagë minimale si֛ po pretendon qeveria 250 euro ose 260 euro vlerësoj që prapë nuk mund ta ndalin këtë gatishmëri që të largohen qytetarët, rinia dhe fuqia punëtore të largohen nga vendi. Pra në këtë drejtim duhet ta kenë të qartë se nëse nuk bëhet një pagë minimale që unë kam qenë ithtar për një pagë minimumi 350 euro duke mos e dëmtuar edhe sektorin privat edhe me qenë pak a shumë një pagë e cila kushtimisht do të ja dilte brenda muajit me shportën e konsumit.”, ka deklaruar njohësi i ekonomisë Kadriaj.
Sa i përket veteranëve, ministri i Financave, Hekuran Murati sot gjatë raportimit para Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka thënë se duhet të bëhet pastrimi i listave të veteranëve, ndërkohë ka shtuar se 80 milionë euro në viti shkojnë për pagesat e pensionit të veteranëve./21Media

Back to top button