Qeveria zotohet për përkrahjen e autistëve

Kryeministri, Albin Kurti së bashku me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi dolen bashkë në mbështetje të personave me autizëm, sot në një konferencë për media.
Kurti vlerësoi se njerëzit autistë përbëjnë një grup, trajtimi i të cilit është tregues themelor i cilësisë dhe shkallës së demokracisë.
Duke shtuar se fëmijët autistë nuk kanë deficit në dëshirën e tyre për marrëdhënie shoqërore, por kanë nevojë për shoqërim më të matur, më të hollë, më të rregullt, ai tha se “nëse shoqëria nuk zotëron mjetet për ta përmbushur këtë pritje, atëherë pa dyshim që deficiti qëndron te shoqëria dhe institucionet e saj”.
Kurti përmendi se gjatë këtij viti janë shtuar 100 asistentë për mbështetje profesionale të fëmijëve dhe se do të shtohen edhe nga 100 tjerë çdo vit, deri në fund të mandatit.
Ndërkaq, Qeveria është zotuar për përkrahje të organizatave të specializuar për identifikimin dhe përkrahjen e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti dhe talente, për çka janë alokuar 200,000 euro. Me këtë rast, kryeministri tha se është shumë e rëndësishme përfshirja dhe përkrahja e këtyre fëmijëve, e veçanërisht nëse ata janë autikë.
Kurti ka theksuar në fund se si Qeveri janë të përkushtuar për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, për të gjithë qytetarët e Republikës, pa dallim gjinie e moshe, pa dallim përkatësie e aftësie.
Ndërsa, ministrja Nagavci tha se Dita Ndërkombëtare e Autizmit “synon të ofrojë mundësi për të rritur më tej ndërgjegjësimin për fëmijët me autizëm dhe çështjet që lidhen me edukimin dhe arsimimin e tyre, si shtylla kryesore për pjesëmarrjen e tyre në shoqëri dhe të modelojmë të ardhmen e zhvillimit për të  gjithë”.
Kurse, ministri Latifi, duke shprehur zotimin për mbështetjen për këtë kategori të shoqërisë, tha se në këtë ditë e rikonfirmojnë zotimin e tyre, që kjo kategori ka të drejtë të gëzojë standardet më të larta të mundshme shëndetësore dhe edukative pa diskriminim, duke iu siguruar e garantuar shërbime, përfshirë identifikimin e hershëm.
Konferenca u organizua nga Zyra për Qeverisjes të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, në bashkëpunim me organizatën ”Autizmi”me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Autizmit.
Ndryshe, sot nën patronatin e presidentes, Vjosa Osmani dhe me moton ”Ec me mua, çdo hap numërohet”, vet kryetarja e shtetit, familjarë, shoqata dhe përfaqësues të institucioneve janë duke marshuar në Ditën Botërore të Autizmit.

Autizmi është një çrregullim kompleks që prek hapësira të shumëfishta të zhvillimit duke përfshirë ndërveprimin social, komunikimin verbal dhe joverbal, imagjinatën, sjelljet dhe interesat. Simptomat e këtij çrregullimi shfaqen shpejt në jetë, ndonjëherë në foshnjëri, por përgjithësisht përpara moshës 3-vjeç./ 21Media

Back to top button