Rama beson se “Sunny Hill” do të rikthehet në shtëpinë e vet
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka mbajtur sot konferencë për media ku ka folur rreth zhvendosjes së Festivalit “Sunny Hill” në Tiranë.
Rama ka thënë se Festivali “Sunny Hill” i takon Kosovës, i takon Prishtinës, të rinjëve dhe të rejave tona që me padurim e kanë pritur edicionin këtë vit.
Kryetari ndër të tjera ka thënë se beson që në vitin tjetër “Sunny Hill” do të rikthehet sërish në shtëpinë e vet, në Prishtinë.
“Kam besimin e plotë se festivali ‘Sunny Hill’ nga viti tjetër e tutje do të jetë në shtëpinë e vet në Prishtinë, pra këtu edhe ku e ka vendin”, ka thënë Rama.
Festivali Sunny Hill nuk do të organizohet në Prishtinë, ka njoftuar më 14 qershor, Dukagjin Lipa, themelues dhe organizator i këtij festivali.
Ai tha se arsyeja e mosmbajtjes së festivalit në Prishtinë është “për shkak të vonesave të shumta të shkaktuara nga mungesa e përgjigjes dhe vendimit përfundimtar për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin”.
Edicioni i tretë i festivalit “Sunny Hill” ishte planifikuar të mbahej në Prishtinë nga 4 deri më 7 gusht 2022, por tashmë në këto data është zhvendosur në Tiranë./21Media