Rama: Serbia duhet ta njohë Kosovën, por Vuçiqi s’mund ta bëjë këtë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një intervistë për gazetën e njohur gjermane “Der Siegel” ka thënë se bombardimi i i Beogradit dhe çlirimi i Kosovës i shërbyen qëllimit për të shpëtuar popullsinë nga spastrimi etnik.
Lidhur me marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve, Rama ka thënë se historia e këtyre dy popujve është histori dhimbjeje dhe gjaku. Ai ka shtuar se Serbia duhet ta njohë Kosovën, por që sipas tij, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq nuk mund ta bëjë këtë.
“Për Kosovën ramë dakord që nuk do të pajtoheshim. Mendoj se Serbia duhet ta njohë Kosovën. Por, Aleksandar Vuçiq nuk mund ta bëjë këtë. Por, të paktën mund të flasim për këtë temë. Dhe ne bashkëpunojmë në projekte si ai i Ballkanit të Hapur”, ka thënë ai.
Rama ka folur edhe për situatën e sigurisë në rrethanat aktuale, për çka ka thënë se presidenti rus Vladimir Putin do të ishte i gëzuar nëse do të kishte një konflikt diku në Ballkan, prandaj i referohet shpesh Kosovës.
Ai ka thënë se duhet të parandalohet me çdo kusht që të ndodhë diçka e keqe. Megjithatë, kryeministri i Shqipërisë tha se kur bëhet fjalë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ka konsensus absolut.
“Putini do të ishte i gëzuar nëse do të kishte një konflikt diku në Ballkan. Shefi i Kremlinit ngacmon dhe provokon kudo që të mundet. Në fjalimet e tij, Putin vazhdimisht i referohet Kosovës, problemit më të dhimbshëm nga problemet e pazgjidhura në Ballkan. Duhet të parandalojmë me çdo kusht që të ndodhë diçka e keqe”, është shprehur Rama.
Ai ka folur edhe për sulmin kibernetik iranian kundër Shqipërisë.
“Irani sulmoi vendin tonë me një sulm masiv kibernetik. Qëllimi ishte të shkatërroheshin të gjitha shërbimet digjitale të qeverisë që ne kemi ndërtuar me shumë mund përgjatë shumë viteve. Falë specialistëve tanë të IT-së, ekspertëve nga Microsoft dhe qeveria amerikane, ne arritëm të zvogëlojmë dëmin”, ka thënë Rama.
Ndërkohë duke folur për investimet e huaja në Shqipëri, Rama ka ftuar pensionistët gjermanë që ta kalojnë pleqërinë në Shqipëri, buzë detit. Ai po ashtu ka thënë se nuk mund të ndalë të rinjtë shqiptarët të ikin në Gjermani dhe vende të tjera të BE-së.
“Shqipëria është një nga vendet më të sigurta në botë. Shkalla jonë e krimit është më e ulët se e Britanisë së Madhe, Greqisë apo Italisë dhe sigurisht SHBA-së me një nga normat më të ulëta të vrasjeve në Evropë. Industria e turizmit duhet të investojë, sepse natyra dhe brigjet të lënë pa frymë. Dhe pensionistët gjermanë duhet të vijnë këtu për të kaluar pleqërinë buzë detit. Sipas një thënieje të vjetër ‘shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut’”, ka thënë Rama.

Back to top button