Rëndësia e projektligjit për sigurinë e përgjithshme të produkteve

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti më 4 tetor me vota unanime ka miratuar në parim Projektligjin për sigurinë e përgjithshme të produkteve.
Gurakuq Kastrati nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për emisionin “StartUp” në RTV21 tha se ky ligj ka karakter horizontal dhe mbulon të gjitha kategoritë e produkteve të cilat nuk janë të rregulluar me akte specifike.

“Produkti i cili vihet në dispozicion të tregut, në shërbim apo të konsumatorët duhet ta plotësojë kërkesën e sigurisë. Duhet të jetë ekskluzivisht i sigurtë, të mos cënojë sigurinë e përdoruesëve apo  konsumatorëve”, tha ai.

Kastrati tha se diku kah fundi i muajit nëntor ky projektligj do të shkojë në Kuvend për shqyrtim.

Ndërsa, Ferat Shala- kryetar i Komisionit për Ekonomi tha se duhet të rritet kualiteti i cilësisë dhe kontrollit.
“Ne duhet ta kemi të qartë se prej nga furnizohemi, çfarë mallërash vijnë, cila është fuqia jonë e kontrollit dhe të definohen shumë më qartë qëështja e penalizimeve dhe dënimeve në të gjitha fazat”, tha ai për “StartUp”.

Por sa do të i ndihmojë bizneseve ky ligj, Skender Krasniqi, nga Oda e Tregtisë tha se tregu kosovar nuk ka probleme me ligjet, por udhëzimet administrative, që sipas tij nuk po janë në përputhje me ligjin.

“Ky do të jetë ligj i ri”, tha Lamir Thaçi nga AUV. Ai për “StartUp” tregoi se nuk e ka parë këtë ligj.
Ndërsa, tregoi punën e AUV-së lidhur me kontrollet e produkteve ushqimore.
“Ne kemi dy fronte të kontrolleve. E kemi frontin kufitar, ku çdo ditë jemi në terminale doganore dhe pika kufitare të kontrollit. Tani kemi filluar edhe në Durrës, në port të kontrollojmë produktet që vijnë për Republikën e Kosovës. Fronti i dytë është kontrolli i brendshëm ku ne në gjithë Republikën e Kosovës në terren kemi plane dhe ushtrojmë plane dhe ushtrojmë kontrolle mbi gjithë operatorët ekonomik”, tha Thaçi.

Megjithatë, Selatin Kaqaniku nga OJQ “Konsumatori” tha se zbatueshmëria e ligjeve në Republikën e Kosovës është akoma nën 40%.
“Shpresat e mija janë të zymta, çfarë perspektive do ta ketë ky ligj kur ligjet tjera e kanë zbatueshmërinë nën 40%. Kur ne akoma i përdorim format klanore-fisnore, kur bëjmë be në vlerat e luftës dhe Kushtetutë dhe ligj dhe të gjitha punët i kryejm me të njofshëm. Atëherë ky ligj po shihet se nuk ka përspektivë”, tha ai duke shtuar se ka edhe fakte tjera për të mos shpresuar shumë në këtë ligj./21Media

Back to top button