Rohde dhe Von Cramon përshëndesin progresin e Kosovës në luftën kundër korrupsionit

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se Kosova ka bërë përparim të dukshëm në luftimin e korrupsionit.
Përmes një shkrimi në Twitter, ambasadori ka theksuar se është inkurajuese që Kosova më në fund filloi të ecë në bisedime për të luftuar seriozisht korrupsionin. Tutje, ai ka premtuar se Kosova ka mbështetjen e plotë gjermane.
“Lajm i mirë! Kosova bën përparim të dukshëm në luftimin e korrupsionit! Në indeksin e Transparency International, Kosova është përmirësuar me 17 vende dhe tani renditet në vendin e 87-të. Është inkurajuese që Kosova më në fund filloi të ecë në bisedime për të luftuar seriozisht korrupsionin. Vazhdoni kështu! Kosova ka mbështetjen e plotë gjermane”, ka shkruar ambasadori.
Shkrimin e tij e ka shpërndarë raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon. Ajo ka quajtur këtë përparim të Kosovës si një shpërblim të vogël për të gjithë.
Organizata Ndërkombëtare “Transparency International” publikoi sot Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021, i cili përdor një sistem llogaritjeje të indeksit nga zero deri në 100 pikë, ku zero është niveli më i lartë i korrupsionit dhe 100 pikë do të thotë shoqëri pa korrupsion.
Sipas vlerësimit të Transparency International, Kosova pas 3 vitesh stagnimi në fushën e anti-korrrupsionit sivjet vlerësohet me 39 pikë duke rikthyer tre pikët e humbura.
Në këtë mënyrë, Kosova rikthehet në nivelin e vlerësimit në të cilën ishte në vitin2017 duke shënuar ngritje në tabelën e klasifikimit për 17 pozita (në pozitën e 87-të nga pozita 104 në të cilën ndodhej vitin e kaluar)./21Media

Back to top button