Rreth 10 vjet burg për mashtruesit e vizave në Kosovë

Kosovarët vazhdojnë të mbesin të vetmit në rajon që nuk gëzojnë liberalizimin e vizave. Ndonëse ka pasur premtime për heqje të vizave, kjo ende nuk ka ndodhur. E si pasojë e kësaj kosovarët po kërkojnë/ofrojnë rrugë ilegale duke mashtruar e falsifikuar.
Dy persona nga Prishtina u mashtruan duke paguar mijëra euro për t’u pajisur me viza sllovene. Policia e Kosovës sot ka bërë të ditur se është arrestuar i dyshuari i cili gjatë vitit 2020 ka mashtruar dy burra kosovarë duke u marrë para në këmbim të vizave sllovene dhe për të fituar grande në Ministrinë e Bujqësisë.
Për këto marrëveshje viktimat raportohet se kanë paguar para në vlerë 19.500 euro dhe material ndërtimor.
Një rast i tillë i mashtrimit me viza është raportuar edhe këtë të diel (8 maj) në Vushtrri.
Viktima është ankuar në Policinë e Kosovës se më 21 prill një person e ka mashtruar duke i premtuar se do t’ia rregullojë dokumentet për vizë pune, i njëjti raportohet se i ka kërkuar-marr një shumë parash nga viktima, pastaj është “zhdukur”.
Sa i përket anës juridike se sa mund të jetë dënimi maksimal që mund të merr një person që ka mashtruar me viza apo falsifikuar dokumente të udhëtimit në Kosovë? Dhe sa dënohet edhe personi (viktima) që ka kërkuar të pajiset me vizë pune apo çfarëdo vize tjetër në rrugët “ilegale” portali rtv21.tv ka biseduar me avokatin, Musa Damati.
Avokati Damati për portalin rtv21.tv ka thënë se kjo kategori e veprave penale është e rrezikshme dhe e dënueshme.
“Kjo kategori e veprave penale është mjaft e rrezikshme nga të cilat kryesisht përfitojnë grupet e caktuara të interesit dhe të cilat e shfrytëzojnë mundësinë pikërisht të gjendjes së integrimeve europiane në të cilën ka stagnuar Kosova”, ka thënë Damati.
Avokati tutje për portalin rtv21.tv ka thënë se falsifikimi i dokumenteve është vepër penale e sanksionuar me Nenin 390 të Kodit penal dhe me të cilën dispozitë prashikohet deri në 8 vjet burgim për kryesin e kësaj vepre.
Damati ka thënë se sa i përket personave të cilët kanë kërkuar pajisen me vizë pune nuk mund të konsiderohen gjithmonë si penalisht përgjegjes dhe kjo për faktin se “personi i caktuar mund të ketë pasur si synim aplikimin e rregullt dhe legal dhe ka qenë në lajthim me veprimtarinë inkriminuese të caktuar”, ndërsa në rastet tjera mund të konsiderohet edhe si bashkëkryes i kësaj kategorie të veprave penale.
“Gjithçka varet nga rrethanat konkrete”, ka shtuar avokati.
Musa Damati ka theksuar se përhapja e këtyre veprave penale duhet të shërbejë si alarm që të punohet më shumë për liberalizim të vizave.
“Përhapja e këtyre veprave penale në shoqëri, mendoj se duhet të sherbejë po ashtu edhe si alarm për punë intenzive në drejtim të liberalizimit sa më të shpejtë të vizave për Kosovën”, ka thënë Damati./21Media

Back to top button