Së shpejti caktohet lokacioni për burgun e ri, parashihet mbyllja e dy qendrave të paraburgimit

Në janar të këtij viti do të hapet Instituti për Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta në Qendrën Korrektuese në Dubravë. Në këtë institut ka kapacitet për 60 shtretër, ndërkaq pavijoni 7 do të shfrytëzohet edhe për 20 persona të shtyrë në moshë. Kështu bën të ditur, zëvendësuesi i zëvendësdrejtorit të Shërbimit Korrektues, Ismail Dibrani, i cili thotë se gjatë këtij viti do të vendoset edhe lokacioni për burgun e ri dhe do të mbyllen dy qendra të paraburgimit.
Ai flet edhe për numrin e rasteve të parandalimit të kontrabandës në institucionet korrektuese. Sipas tij, familjarë e kompani të ndryshme u kanë mundësuar gjatë vitit të burgosurve që të fusin e narkotikë e telefona brenda burgjeve.
“Viti që kaloi do të mbahet mend si viti rekord në raport me parandalimin e kontrabandës në institucionet korrektuese. Kemi afër 50 raste të parandalimit të futjes së kontrabandës në institucionet korrektuese. Numrin më të madh të këtyre rasteve e kemi me familjarë të dënuarve të paraburgosurve, por edhe me persona të tjerë të cilët përmes kompanive të ndryshme që furnizojnë institucionet tona me artikuj të ndryshëm kanë tentuar për të futur kontrabandën. Natyrisht këto në koordinim edhe me Departamentin e Inteligjencës që funksionon në kuadër të Shërbimit Korrektues të Kosovës, por edhe me sektorë të tjetër të sigurisë së shtetit”, deklaroi Dibrani.
Në këto raste janë përfshirë edhe zyrtarë korrektues, ku prej tyre katër janë dënuar nga gjyqësori.
“Është sasi e madhe e narkotikëve, sasi e madhe e telefonave, sasi e madhe edhe e gjërave të tjera që janë të ndaluara në institucionet korrektuese, të cilat kemi arritur (t’i parandalojmë). Keni parë vetëm dy rastet e fundit, natyrisht edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit janë duke u zhvilluar edhe hetimet dhe presim shumë shpejt edhe rezultate konkrete. Por, sigurisht që nuk ka munguar edhe përfshirja e një numri të vogël të zyrtarëve korrektues në këto raste. Lidhur me këtë ne kemi ndërmarrë veprime konkrete. Vetëm për vitin që kaloi kemi pezulluar nga puna 11, gjashtë persona janë të larguar, katër prej tyre janë dënuar nga gjykata dhe të tjerët janë në procedura. Dhe gjashtë persona të tjerë janë pezulluar nga puna dhe presim që të ballafaqohen me procedura me disiplinore dhe me ndjekje penale”, thekson Dibrani, duke shtuar se janë edhe 43 zyrtarë të tjerë të cilët janë përfshirë në procedura disiplinore”, thotë ai.
Derisa ende nuk ka vend të veçantë për trajtimin e rasteve psikiatrike e me nevoja të veçanta, Dibrani bën të ditur se në janar do të hapet Instituti për Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta.
“Në janar pritet hapja e Institutit për Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta. Lidhur me këtë ne do të kemi vizitë në Amerikë, vizitë studimore. Ku po shpresojmë që praktikat më të mira do të kemi mundësi edhe për t’i implementuar në këtë institutin që jemi duke e themeluar. Lidhur me këtë është punësuar stafi korrektues, pasi është në fazën finale edhe punësimi i stafit shëndetësor. Natyrisht që këto raste neve na shqetësojnë, kemi pasur dy raste të vdekjeve, të cilat krahasuar me vendet e rajonit natyrisht që jemi më mirë”, shprehet Dibrani.
Ky institut ndodhet pranë Qendrës Korrektuese në Dubravë, projekt i cili ka vlerën mbi 400 mijë euro.
“Vetëm në Institutin për Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta, kapaciteti do të jetë 60 shtretër. Po ashtu planifikohet që si aneks i këtij projekti të jetë edhe pavijoni 7, i cili do të akomodohet për personat e shtyrë në moshë, për personat që kanë probleme me ecje. Do të thotë që në total numri do të shkojë si institut, 80 shtretër”, njofton ai.
Zëvendësuesi i zëvendësdrejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës flet edhe për Ligjin për Shërbimin Korrektues të miratuar gjatë vitit 2022 në Kuvend të Kosovës. Sipas tij, vështirë do të menaxhohet lejimi i pakove ushqimore, meqë kështu do të shtohen rastet e kontrabandës.
“Parasheh pako ushqimore shtesë edhe pse është pak e vështirë të menaxhohet në aspektin sepse ligji përcakton që i dënuari pakon mund ta shfrytëzojë i vetëm pa iu mundësuar personave të tjerë. Paramendoni një pako e cila do t’i dhurohet një të dënuari, i cili është me disa persona të tjerë dhe cila do të jetë mundësia që zyrtarët korrektues ta menaxhojnë që ai ato ushqime që i pranon nga familjarët mos t’i shpërndajë edhe shokëve të tjerë që i ka në dhomë”, deklaron ai.
Ai flet edhe për marrëveshjen me shtetin danez për transferimin e 300 të burgosurve në Kosovë. Dibrani thekson se janë në fazën finale të harmonizimit të programeve.
“Ne jemi në fazën finale të harmonizimit të programeve për të gjithë sektorët në bashkëpunim me komitetin drejtues danez. Por, natyrisht që për të filluar implementimin e këtij projekti duhet vota e 2/3 të deputetëve në parlamentet përkatëse, si të Kosovës ashtu edhe të Danimarkës. Ne jemi gati, kemi hartuar projektin në bashkëpunim me shtetin danez. Është projekti i gatshëm, i cili parasheh që burgu i Gjilanit të adaptohet me rregullat daneze. Lidhur me këtë do të ketë edhe një investim atje, por sigurisht që investimi do të fillojë vetëm atëherë kur traktati të kalojë në parlamentet përkatëse të dy vendeve”, shton ai.
Ismail Dibrani nga Shërbimi Korrektues i Kosovës flet edhe projektet e këtij viti, ku përmend ndërtimin e burgut të ri dhe mbylljen e dy qendrave të paraburgimit.
“Ne jemi në fazën finale, ku do të vendosim lokacionin se ku do të ndërtohet burgu i ri. Në planin afatmesëm kemi paraparë mbylljen e dy qendrave të paraburgimit. Qendrën e Paraburgimit në Pejë dhe atë në Prizren. Dhe ndërtimin e një burgu të ri, i cili do të mbulojë aktivitetet e gjykatave të rajonit të Dukagjinit, përfshirë Pejën, Prizrenin, Gjakovën, Klinën, Rahovecin edhe do të jetë shpenzime të kostos së transportit, por edhe te siguria fizike. Po ashtu, me vendim të ministres së Drejtësisë është themeluar një grup për reformë në ofrimin e programeve për personat e mbajtur në institucionet korrektuese, ky program është në fazën finale dhe presim që gjatë këtij viti të gjitha programet në institucionet tona korrektuese të rifreskohen”, përfundon Dibrani.
Mes tjerash thotë se kanë nënshkruar edhe marrëveshje bashkëpunimi me organizata joqeveritare për risocializimin dhe riintegrimin e personave që aktualisht janë duke vuajtur dënimin.
Mesatarja e personave të mbajtur nëpër institucionet korrektuese gjatë vitit 2022 ka qenë 1700, prej tyre mbi 1000 të dënuar, ndërkaq afro 700 të burgosur. Kapacitetet e burgjeve të Kosovës janë për rreth 2200 persona./KP

Back to top button