Shefi i mbrojtjes së Letonisë për sulmin në veri: Qëllimi ishte t’i zvogëlojnë aktivitetet e paqeruajtësve

Shefi i mbrojtjes së Letonisë, Leonids Kalnins, ka thënë të martën se qëllimi i njerëzve që sulmuan trupat letoneze të KFOR-it në veri të Kosovës ishte që t’i zvogëlonin aktivitetet e paqeruajtësve.
Kalnins nuk beson se pas këtij sulmi është rritur niveli i kërcënimeve ndaj paqeruajtësve letonezë. Shtoi se do ta vazhdojnë misionin e tyre.
“Pavarësisht incidentit, ushtarët letonezë do të vazhdojnë misionin e tyre, duke përfshirë patrullimin. Qëllimi ynë është të kryejmë detyrat tona në tërësi së bashku me aleatët tanë. Një incident i tillë nuk mund të na frikësojë ta kuptojmë se ku do të ndalonim papritmas përmbushjen e misionit tonë. Mendoj se qëllimi i sulmuesve ishte t’i zvogëlonin aktivitetet tona midis dy palëve në konflikt. Detyra e Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë (KFOR) është të zbusë tensionin. Me shumë mundësi, një nga objektivat e këtij provokimi ishte heqja e bllokadave në rrugë, në mënyrë që njerëzit të lëviznin më lirshëm”, ka thënë Kalnins në një intervistë për “Baltic Times”.
Ushtarët e kontingjentit letonez të KFOR-it u sulmuan në veri më 25 dhjetor teksa ishin duke kryer patrullime.
Kanë kaluar më shumë se dy javë që kur disa rrugë në veri të vendit janë bllokuar nga barrikadat e vendosura prej serbëve lokalë, pas arrestimit të ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq, të dyshuar për sulm ndaj Policisë dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Barrikadat në veri po vëzhgohen nga Policia e Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it.

Back to top button