Shkrumb e hi pasojat e zjarrit në Gjirokastër e Karaburun

 
Për të 13-tën ditë me radhë tymi, nga disa pika në Karaburun tregon se zona po vijon të digjet.
Dëmet e shkaktuara nga zjarret masive ende nuk janë përllogaritur, por më shqetësuese mbetet situata në afërsi të Llogarasë pasi flakët po përparojnë.
Banorët e zonës thonë se prekja e parkut kombëtar nga flakët do të ishte katastrofike.
Zjarrfikësit kanë qënë gjatë gjithë natës në bazën e Pashalimanit ndërsa gjatë mesantës së kaluar deri në orët e para të mëngjesit ka pasur një situatë të vështirë pasi flakët janë afruar 30 metër afër bazës. Falë angazhimit të autoriteteve gjithçka u neutralizua.
Kreu i Bashkisë së Vlorës, Dritan leli foli për zjarrëvenie të qëllimshme.
“Zjarri i djeshëm në Pishporo ka qenë i qëllimshëm. Dhe në disa vatra zjarri të shpërndara në territori”.
Ndërkohë në Gjirokastër zjarri ka shkrumbuar sipërfaqe të tëra duke lënë pas një viktimë e dy të plagosur, dhe qindra hektarë tokë të djegur.
Pamje vijnë nga Fshati Asim Zenel, ku edhe u shënua humbja e një jete tregojnë dëmet e mëdha.
Banorët që janë kthyer pas evakuimit, shprehen të shokuar për ngjarjen ndërsa nuk mbajnë mend që ndonjëherë të ketë rënë një zjarr i tillë.
Zjarret mbeten problematikë edhe në veri të vendit.
Në Vaun e Dejës janë aktive disa vatra të zjarrit, ndërsa në Fushë –Arrëz intensiteti është i ulët. Zjarri ka përparuar gjithashtu në një pjesë shkëmbore, pak të pyllëzuar në fshatin Lukan, në Dibër.
Edhe në fshatin Zogas, në Skrapar, zjarri mbetet aktiv, por pa rrezik për banesat.
Zjarri ka përfshirë edhe Elbasanin ku në vendin e quajtur “Gropat e Borës”, midis fshatrave Cerujë dhe Gur i zi, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pylli me bimësi të ulët./oranews

Back to top button