Disa raste të lojës “Balena e kaltër” janë paraqitur edhe në Kosovë

Disa raste të lojës “Balena e kaltër” janë paraqitur edhe në Kosovë

Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC) ka prezantuar manualin bazik për prindërit, përmes të cilit njofton ata me shenjat kryesore që ata mund t’i identifikojnë te fëmijët e tyre nëse kanë rënë pre e lojës së rrezikshme “Balena e kaltër”.

SPRC përkujton se loja sfiduese “Balena e Kaltër” është bazuar në sfida dëmtuese për pjesëmarrësit, kryesisht adoleshentë, duke u kërkuar atyre kalimin e 50 niveleve të sfidave dhe në nivelin e fundit ajo shkakton vetëvrasjen e fëmijëve.

Sfidat e para të kësaj loje vetëvrasëse online duken të padëmshme, sikurse është shikimi i ndonjë filmi të frikshëm apo të zgjuarit në orët e hershme të mëngjesit, por kalojnë deri te sfidat e dëmshme, sikurse gërvishjet në krah në formë të balenës e deri tek urdhri për vetëvrasje.

Të gjitha këto ndikojnë direkt në personalitetin dhe mënyrën e sjelljes së fëmijëve, ndërsa shenjat kryesore janë humbje e interesimit në aktivitetet e përditshme, ndryshimi i sjelljes, largimi nga shokët/shoqet dhe anëtarët e familjes, niveli i ulët i disponimit në vazhdimësi dhe pakënaqësia në rritje.

Ndër shenjat tjera kryesore janë shqetësimi, hidhërimi dhe frika e shtuar dukshëm, humbja e interesimin në aktivitetet familjare, probleme në të ushqyer dhe në fjetje, gërvishje në trup, kryesisht në krah, shprehje e pakënaqësisë me jetën, tentime për të dëmtuar veten apo edhe për t’u vetëvrarë.

SPRC u ofron prindërve tetë këshilla se si duhet vepruar në këto raste:

Monitoroni ndryshimet tek fëmijët tuaj

Mos i leni asgjë rastësisë. Në moshën para dhe gjatë adoleshencës, monitorimi i ndryshimit të sjelljeve është i domosdoshëm.

Zvogëlimi i oreksit, ndryshimet në zakonet e gjumit, unazat e errëta nën sytë, të qenit më sekret, tërheqja sociale, trishtimi, nervozizmi, zemërimi, humbja e interesit në gjërat që i kishin dashur.

Ndihmoni për të tejkaluar problemet

Ndihmoni fëmijët tuaj të gjejnë burimet dhe mjetet e duhura për t’u marrë me çështjet që kanë në jetën e tyre. Si të rritur, shpesh i shohim problemet e tyre si të parëndësishme, por për ta ato mund të ndjehen shumë reale dhe shumë të mëdha. Ngacmimi, presionet e testimit, marrëdhëniet e dashurisë, ndryshimet financiare, vetmia, si dhe presionet më të mëdha të dhunës në familje, ndërrimi i shtëpive, vdekja, divorci, abuzim, alkoolizmi në shtëpi etj.

Diskutoni me fëmijët për orarin e rregullt të gjumit

Vlerësohet se ndikimi në fëmijët është më i madh në kohën e pagjumësisë së tyre, prandaj orari i rregullt i gjumit largon fëmijët tuaj nga ndikimi i këtyre gjërave.

Bëjeni të qartë se i doni shumë

Ne mendojmë se po i duam plotësisht fëmijët tanë dhe se ata e dinë këtë, por kaq shpesh ka një ndërprerje të komunikimit mes asaj që ndjejmë dhe si e shprehim këtë. Kontrolloni fëmijën tuaj dhe njihni botën e tyre “online”, “offline”, të brendshme dhe të jashtme. Tregojuni që i doni ata çdo ditë, tregoni atyre se janë të mjaftueshëm pikërisht ashtu siç janë, kaloni kohë së bashku duke bërë gjëra që u pëlqejnë, bëni gjëra të vogla dhe kuptimplote për ta!

Bisedoni me fëmijët tuaj

Bisedoni me fëmijët tuaj edhe për lojërat, edhe për lojërat e vetëvrasjes. Bisedoni me ta për depresionin në përgjithësi. Lërini të kuptojnë që njerëzit ndonjëherë ndjehen të dëshpëruar dhe se ka mënyra për të dalë nga këto ndjenja nëse lidheni me njerëzit e duhur. Nëse fëmija juaj shpreh dëshirën për të vdekur, merrni këtë seriozisht.

Kontaktoni psikologun

Ndihma profesionale për fëmijët tuaj është tepër e rëndësishme. Krahas angazhimit tuaj si prindër, komunikoni dhe ofroni ndihmë profesionale.

Kontaktoni mësimdhënësit

Për të parë më shumë rreth ndryshimit të sjelljes së fëmijëve tuaj, si dhe për të ndihmuar në mënyrë të plotë, kontaktoni mësimdhënësit dhe diskutoni për atë që keni vërejtur. Planifikoni bashkë kthimin e interesimit të fëmijëve tuaj tek aktivitetet e përditshme.

Kontaktoni institucionet

Kontaktimi i institucioneve është i rëndësishëm për të marrë mbështetje. Policia e Kosovës apo ndonjë institucion tjetër mund t’ju ofrojë ndihmën për të cilën keni nevojë.

Ndryshe, “Balena e kaltër” e cila zhvillohet ‘online’, përmes internetit, kryesisht synon të vë në shënjestër të rinjtë duke provuar që t’i shtyjë ata në vetëvrasje. Loja fillimisht u përhap në rrjetet sociale në Rusi, por kohët e fundit ka nisur të përhapet edhe në Evropë. Loja nis me një ftesë në rrjetet sociale, e cila u dërgohet atyre që duan të marrin pjesë.

Krijuesit dhe administruesit e kësaj loje, janë duke u ndjekur penalisht nëpër vende të ndryshme të botës. Nga aspekti i administrimit me këtë lojë, në Kosovë nuk është shënuar ndonjë rast i arrestimit të ndonjë personi.