Sivjet fillon vaksinimi për mbrojtje nga kanceri në mitër

Vaksina kundër papilloma virusit (HPV), e cila mbron nga sëmundja e kancerit të qafës së mitrës, në Kosovë do të jepet nga ky vit.
Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për rtv21.tv se për këtë vit janë porositur 300 doza të vaksinës kundër HPV-së.
Fillimisht vaksinën do ta marrin vajzat dhe gratë vullnetare apo ato që kanë indikacione shëndetësore. Ndërsa nga viti i ardhshëm, MSH-ja ka thënë se është duke u shqyrtuar mundësia që vaksina t’i shtohet kalendarit të rregullt të vaksinimit, që nxjerr Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Tutje, MSH-ja ka thënë se për vitin 2023 pritet që numri i dozave të vaksinës kundër HPV-së të shumëfishohet.
Papilloma virusi është infeksioni më i zakonshëm, i cili transmetohet përmes marrëdhënieve seksuale. Ky infeksion mund të shkaktojë disa probleme shëndetësore duke përfshirë edhe sëmundjen e kancerit të qafës së mitrës.
Vaksina kundër HPV-së, në bazë të studimeve të bëra së fundmi nga Organizata e Britanisë së Madhe “Cancer Research”, tregon se kjo vaksinë ka zvogëluar rastet e kancerit të qafës së mitrës për gati 90 për qind.
Ilir Kurtishi, drejtor i Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka bërë të ditur për rtv21.tv se në tre muajt e parë të këtij viti janë konfirmuar 30 raste të kancerit të qafës së mitrës.

Kanceri i qafës së mitrës është lloj i kancerit që shfaqet në qelizat e qafës së mitrës që është pjesa e poshtme e mitrës, që lidhet me kanalin vaginal.
Specialistja për Gjinekologji dhe Obstetrikë, Jehona Binishi-Hysa, ka treguar për rtv21.tv se HPV virusi në trupin e njeriut zakonisht nuk shkakton simptomatologji të dukshme dhe mbijeton me vite në trupin e njeriut dhe kjo mbijetesë e gjatë, sipas saj, ndikon që pas një kohe disa qeliza të qafës se mitrës nën ndikimin e HPV virusit degjenerojnë në qeliza kancerogjene.
“Ky risk i rritur ndaj zhvillimit të kancerit të qafës së mitrës mund të ulet duke bërë skrining testet çdo vjet, si dhe marrjen e vaksinës kundër Hpv virusit.”, ka deklaruar ajo./21Media
Back to top button