Sot merret vendimi për incidentin në Juventus-Inter, Cuadrado rrezikon shumë

Për incidentet që ndodhën në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Italisë ndërmjet Juventusit dhe Interit, sot pritet të merret vendimi nga ana e gjyqtarit sportiv.

Juventusi pritet të dënohet për sjelljen e tifozëve dhe përjashtimi i tyre në ndeshjet e ardhshme është skenari më i mundshëm.

Inspektorët kanë parë gjithçka. Prandaj sot gjyqtari sportiv Gerardo Mastrandrea duhet të ketë të gjithë elementët për të marrë vendime drastike. Nuk duhet të nevojiten hetime shtesë, e as formula të reja nga zyra e prokurorit federal.

Thirrjet raciste kundër Romelu Lukakut sigurisht që do të çojnë në një sanksion ose skualifikim të sektorit të “Allianz Stadium”. Siç dihet, në përllogaritjen e gjobës do të vlerësohet mundësia e përjashtimeve që mund të lehtësojnë dënimin.

Megjithatë, vlerësimi i gjyqtarit sportiv nuk do të ndalet në sjelljen e publikut duke pasur parasysh tensionin lartë pas fishkëllimës së fundit të gjyqtarit Masa. Në veçanti, grushti i Cuadrado ndaj Handanovic mund të çojë në skualifikimin e kolumbianit. Në këtë rast, për “sjelljen e dhunshme” që është një shkallë më e lartë se “sjellja seriozisht josportive”, rrezikohet një pezullim prej tre ndeshjesh.

Por, mes rikonstruksioneve të ndryshme është edhe ai i një “provokimi” nga portieri që mund të çojë në një zgjerim të mëtejshëm të përgjegjësive. Një argument mbi të cilin Juventusi do të mund të përpiqet të argumentojë arsyet e saj në apel, me kusht që rrethana të mos jetë tashmë pjesë e vlerësimeve të gjyqtarit sportiv. Në fakt, ndër rrethanat lehtësuese, Kodi i Drejtësisë Sportive parashikon atë që ndodh kur njeriu vepron “në reagim të menjëhershëm ndaj sjelljes apo veprimit të padrejtë të të tjerëve”.

Lukaku ka marrë solidaritet nga e gjithë bota, por edhe belgu do të skualifikohet për sjellje provokuese ndaj publikut dhe lojtarëve të Juventusit.

Back to top button