Sulmohet komediani Dave Chappelle

Komediani Dave Chappelle u sulmua gjatë një shfaqjeje në Los Angeles, sipas dëshmitarëve dhe videove të incidentit të postuara në rrjetet sociale.
Incidenti ndodhi teksa komediani po mbyllte shfaqjen dhe po falënderonte interpretuesit e mëparshëm, përfshirë Chris Rock, Leslie Jones dhe Jon Stewart.
Chappelle, 48, me sa duket ishte i padëmtuar dhe u kthye në skenë për të përfunduar setin e tij, duke bërë shaka me audiencën se sulmuesi “ishte një burrë trans” – një referencë për zhurmën që komentet e tij për gjininë kishin shkaktuar në komunitetin trans.
Sipas Brianna Sacks, një gazetare e BuzzFeed News e cila postoi në Twitter për incidentin, disa roje sigurie e goditën me grushta dhe shkelma sulmuesin/
Sulmuesi i cili doli në skenë nga publiku, u ndalua nga ekipi i sigurimit dhe më pas u dërgua në spital për trajtimin e disa lëndimeve të vogla trupore. Chappelle nuk ka pësuar lëndime.
Motivet e sulmit që ndodhi të martën mbrëma nuk janë bërë të qarta ende.
Dave Chappelle po performonte në amfiteatrin “Hollywood Bowl” si pjesë e festivalit të komedisë, “Netflix Is a Joke: The Festival”, që po zhvillohet nga 28 prilli deri më 8 maj./21Media

Back to top button