Sulmuesi i Selës mohon tentim-vrasjen

Gjykatësit i tha se deshi ta shpëtojë deputetin

Me kërkesë të Prokurorisë Publike, policia stacionohet para shtëpisë së Kire Gjorgjievskit, i dyshuar për ta dërguar para Gjykatës Themelore, pasi dyshohet për veprën penale tentim për vrasje ndaj deputetit Ziadin Sela.

Ai nuk e hap, njësitë speciale thyejnë derën, Gjorgjievski përfundon nën pranga, dhe dërgohet në stacionin policor “Proleçe”,shkruan TV21.TV

Policia në banesë i gjen atletet të përlyera me gjakun e deputeteve, si dhe një thikë. 13 orë të tëra qëndron në stacion policor… Rreth orës 21:00, e sjellin para gjykatësit kujdestar në Gjykatën Themelore.

Jep versionin e tij të rrëfimit edhe para gjykatësit, për katër orë qëndron aty, por nuk pranon se ka dashur ta lëndojë Selën.

Burime brenda Gjykatës Themelore thonë për TV21, se edhe Gjorgjievski edhe babai i tij, kanë deklaruar se e kanë shpëtuar Ziadin Selën, edhe pse videot e 27 prillit thonë diçka tjetër.

Gjorgjievski dhe babait të tij ju shqiptua masa e paraburgimit për 30 ditë, kurse ata do të gjykohen për veprën penale tentim për vrasje me paramendim, vepër që dënohem më së paku me 5 vjet burg.

Prokuroria Publike Themelore e Shkupit miratoi urdhër për zbatimin e procedurës hetuese kundër tyre, duke kërkuar nga MPB sigurimin e dokumentacionit dhe të dhënave plotësuese për këtë rast./21Media

Back to top button