Takimi i ministrit të jashtëm polak me ambasadorin rus zgjati “vetëm katër minuta”

Takim pa shtrënguar duart

Një takim midis ministrit të Jashtëm polak, Zbigniew Rau dhe ambasadorit të thirrur rus në Poloni, Sergey Andreyev, pas uljes së një rakete vdekjeprurëse në territorin polak zgjati “vetëm katër minuta”, sipas një zëdhënësi të qeverisë.
“Ai (Andreyev) u prit, por pa asnjë shkëmbim mirësjelljeje, pa shtrënguar duart, nga ministri Zbigniew Rau dhe delegacioni që e shoqëronte.
Ambasadorit iu lexua nota jonë diplomatike, e cila është e ngjashme me komunikatën që publikuam. Ambasadori pranoi pozicionin dhe u largua”, tha Lukasz Jasina, një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Polonisë.
Jasna i tha radios kombëtare polake se ambasadori rus, i cili u thirr nga Polonia të martën pasi raketa goditi Poloninë lindore, u shfaq rreth mesnatës për takimin.
Polonia tha se një raketë “prodhuar nga Rusia” goditi vendin të martën, duke vrarë dy persona. Incidenti shënon herën e parë që një vend i NATO-s goditet drejtpërdrejt gjatë konfliktit. Nuk dihet se kush e ka lëshuar raketën, apo saktësisht se nga është gjuajtur.
Në një intervistë tjetër, zëvendësministri i Jashtëm i Polonisë Paweł Jablonski tha për Radion RMF FM se Ministri i Jashtëm Rau i kërkoi Andrejevit të shpjegonte situatën gjatë takimit.
“Ekziston një probabilitet shumë i lartë që kemi të bëjmë me një pasojë të veprimeve të Rusisë,” tha Jabłoński./21Media

Back to top button