Të pastrohesh nga droga përmes bujqësisë!

 

Për 5 vite me radhë ishte përdorues i heroinës. Tashmë është mbushur një vit që kur nuk përdor asnjë lloj droge.

“Një vit që nuk përdor asgjë. Jam i pastër. Ndenja është shumë e mirë, ndihem shumë më i shëndetshëm”, u shpreh një person i cili ka qenë i varur nga droga.

Programi “Çatia” për rehabilitimin, risocializimin dhe riintegrimin e të varurve nga droga, alkooli dhe bixhozi është ai që e ndihmoi këtë 31-vjeçar për të dalë nga rruga që ishte futur. Fillimi, faza e detoksifikimit, ka qenë më e vështira për të.

“Gjatë fazës së detoksifikimit nuk isha shumë mirë. Kisha mbështetjen e profesionistëve që janë këtu, me biseda, më ndihmuan në gjithçka. Më pas isha më mirë, u transferova tek shtëpia tjetër, fillova të punoj më shumë, mësova shumë gjëra që jashtë nuk i bëjmë asnjëherë”, potencoi personi i cili ka qenë i varur nga droga.

Përveç kësaj, ka edhe orë kur bëjnë biseda në grup, me psikoterapistë, por ndër terapitë më interesante që zhvillojnë është bujqësia.

Sotir Mançev ka mbi 25 vjet që merret me persona që kanë varësi të ndryshme, ndërsa rrëfen për idenë që “kurimi” të bëhet përmes prodhimit bujqësor organik.

“Këtu ka dy pika. E para është se ushqimi është edhe ilaç edhe helm. Nga ana tjetër personat që përdorin substanca fusin më së shumti helm në trupin e tyre dhe qëllimi ishte që të njëjtit njerëz që kanë më së shumti helm për shkak të stilit të tyre të jetës, ta prodhojnë edhe ushqimin më të shëndetshëm”, deklaroi Sotir Mançev – kryetar i Shoqatës “Zgjedhja”.

Nuk është çështja tek prodhimi, sesa tek terapia që u ndihmon të varurve të kalojnë periudhat e vështira.

“Po, terapi goxha e madhe. Merremi me bujqësi, ka kultura të ndryshme. Kush dëshiron, mund të mësojë. Është mjaft interesante dhe kështu e mbushim edhe ditën, nuk rrihet gjithë ditën, me diçka duhet të merremi”, theksoi personi i cili ka qenë i varur nga droga.

Përveç të varurve nga droga dhe alkooli, kohëve të fundit vijnë edhe persona që kanë krijuar varësi nga bixhozi.

“Por shumë shpesh paraqiten edhe 2 në 1 dhe 3 në 1, pra që kanë problem edhe me drogën, alkoolin dhe bixhozin”, shprehet Sotir Mançev – Shoqata “Zgjedhja”.

Qendra gjendet në fshatin Banicë të Strumicës në Maqedoninë e Veriut, por këtu vijnë të kërkojnë ndihmë nga i gjithë vendi. Në vit këtu kalojnë mesatarisht 100 persona. Disa vijnë për herë të parë, e disa që rikthehen për të dytën ose tretën herë.

“80% e atyre njerëzve që e kanë kryer gjithë procesin, sot e asaj dite janë në rregull, pra nuk rikthehen dhe fillojnë të jetojnë jetë normale”, tha për TV21, Sotir Mançev.

Mançev e sheh Qendrën si stacionin e fundit të personave që kërkojnë shpëtim. Kjo sepse shumica e atyre që vijnë këtu, së paku kanë 10 vite që përdorin substanca të ndryshme.

Kapacitetet e qendrës nuk janë edhe aq të mëdha, ka vend vetëm për 35 persona, aq sa shpesh ndodh që të ketë më shumë kërkesa, sesa ka vende të lira.

“Për momentin është situata e tillë dhe kemi listë pritjeje. Ashtu siç lirohen vendet, i pari që është në listë, i jepet mundësia të nisë procesin e rehabilitimit”, potencoi Sotir Mançev.

Procesi terapisë zgjat 18 muaj. E pavarësisht ndihmës që ofron qendra, prapëseprapë gjithçka varet tek vullneti i personave që duan të ndryshojnë!

“Kam edhe 4 muaj që të përfundoj procesin, do ta kryej, do të qëndroj deri në fund, më pas jashtë më pret familja, dua që edhe unë të krijoj familje, të vazhdoj me punë, një jetë normale, të shëndetshme…”, tha personi i cili ka qenë i varur nga droga./21Media

https://www.youtube.com/watch?v=LgENA78I8nA&feature=emb_title

Back to top button