Ushtria ukrainase thotë se sulmet ruse në 3 rajone ishin të pasuksesshme

Ushtria ukrainase ka raportuar për gjuajtje të rëndë artilerie dhe raketash nga forcat ruse në rajonet Kharkiv dhe Donetsk, të shoqëruara nga sulme ajrore. Por, ajo tha se rusët nuk kanë arritur të fitojnë terren në asnjë rajon dhe as në jug.
Në Kharkiv, “armiku u përpoq pa sukses të përparonte në drejtim të Velyki Prohody – Pitomnyk me veprime sulmi”, tha shtabi i përgjithshëm i ushtrisë. Zona është rreth 20 kilometra (rreth 12 milje) në veri të Kharkivit.
Në një nga betejat më intensive aktuale në Donbas, Shtabi i Përgjithshëm tha se një tjetër përpjekje për të thyer linjat e Ukrainës përgjatë kufirit Luhansk-Donetsk kishte dështuar. “Ushtarët ukrainas zmbrapsën ofensivën në drejtim të rafinerisë Lysychansk – Ivano-Daryivka. Armiku pësoi humbje dhe u tërhoq”, tha ai.
Në drejtimin Sloviansk, Rusia nisi zjarr artilerie në zonat në veri të qytetit, informoi Shtabi i Përgjithshëm.
“Rusët kanë granatuar vazhdimisht qytetin për 20 ditë tani. Si rezultat i granatimeve të sotme, dy persona u plagosën”, tha kryetari i bashkisë së Slovianskut, Vadym Liakh për televizionin ukrainas. “Ka dy muaj që nuk ka ujësjellës në qytet dhe 15% e banorëve nuk kanë energji elektrike për shkak të granatimeve”.
“22,000 njerëz mbeten në qytet. Nëse granatimet rriten, më shumë njerëz do të duan të evakuohen”, shtoi Liakh, shkruan CNN.
Zona përreth qytetit të Bakhmutit u bombardua sërish të enjten dhe pati gjithashtu sulme ajrore, bëri të ditur Shtabi i Përgjithshëm.
Në jug, rusët ishin përpjekur të nisnin një sulm përgjatë kufirit të rajoneve Mykolaiv dhe Kherson, tha ai, por ishin zmbrapsur. Kjo zonë, rreth Andriivkës, ka pasur rritje të luftimeve ditët e fundit, por nuk ka ndryshim në pozicionet aktuale./21Media

Back to top button