“Vaksinimi rikthen lirinë e përqafimit”, Filipçe apel te qytetarët për vaksinim masiv

 

Vetëm me vaksinim masiv të një numri sa më të madh të qytetarëve ne do të shpëtojmë jetë njerëzish dhe do t’i japim fund pandemisë. Pas tre valëve të fuqishme përfundimisht situate me Covid19 po qetësohet, tani e kemi armën më të fortë për luftë me virusin – vaksinat. Kështu u shpreh ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut Venko Filipçe nëpërmjet një video fjalimi.

Ai u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë ambasadorë të imunizimit dhe sa më shumë të paraqiten në faqen për vaksinim dhe t’i bindin bashkëqytetarët e tyre ta bëjnë të njëjtën.

“Sa më shpejt dhe sa më shumë qytetarë vaksinohen aq më shpejt do t’i festojmë rastet për gëzim, ditëlindjet e të dashurve dhe dasmat e të afërmve dhe arritjet jetësore. Vaksinimi rikthen lirinë t’i përqafojmë të afërmit tanë, familjarët, gjyshërit dhe miqtë, të përshëndetemi me duar si dikur me shtrëngim të fortë shuplakash. Vaksinimi është mënyra e vetme që përfundimisht të kthehemi në normalitet”,  deklaroi Venko Filipçe, Ministri i Shëndetësisë.

Por në fakt pas vaksinimit a do të mund vërtet të kthehemi në normalitet?! Doktori Sedat Lumani për TV21 deklaron se pothuajse të gjithë qytetarët që kanë qenë të infektuar me Covid19 virusi u ka lënë pasoja në organet ku ka qenë i koncentruar po edhe pasoja psikike. Sipas Lumanit nga këto pasoja vuajnë edhe personat që fare nuk kanë qenë të prekur nga virusi por kanë pasur përvoja te të afërmit e tyre.

“Kemi raste nga aspekti psikiatrik. Pacientët nuk janë ata që kanë qenë, bëhen më senzitiv, bëhen më të ndjeshëm, bëhen më agresiv, memoria e tyre ndonjëherë edhe humbet. Në shumë raste nuk është ai njeri që ka qenë dikur. Thamë që këto simptoma të shumica janë reversibile, mirëpo kurrë nuk kthehet organizmi në sistemin e mëparshëm që ka qenë. Pasoja do të ketë, mirëpo pasojat mund të jenë minore ose madhore, domethënë që mund të vërehen edhe nga njerëzit e tjerë”,  deklaroi mjeku Sedat Lumani.

Nga Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut njoftojnë se deri dje janë aplikuar 255.259 doza vaksinash, ndërsa janë rivaksinuar 38.806 qytetarë.

Me imunizimin e qytetarëve vendet evropiane do të heqin edhe masat kufitare. Ministri i punëve të jashtme të Sllovenisë Anzhe Logar, i cili ka qëndruar në Shkup, tha se qytetarët pa marrë parasysh se cilën vaksinë e marrin, mund të udhëtojnë për në Slloveni pa problem./21Media

Back to top button