Thaçi e Kurti nuk takohen sot

Kurti s’ndodhet në Prishtinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot i ka dërguar ftesë kreut të VV-së, Albin Kurti, për takim në lidhje me mandatarin për formimin e qeverisë së re. Takimi i tyre nuk do të zhvillohet për shkak se lideri i VV-së nuk ndodhet në Prishtinë.

“Pak pas orës 11:00, në selinë e VV-së erdhi letra e Presidentit të Kosovës për një takim po ashtu sot në ora 13:30, me Kryetarin e LVV, Albin Kurti. Kryetari Kurti e ka sot të pamundur ta takojë Presidentin, meqenëse ndodhet jashtë Prishtinës. Ai do ta njoftojë së shpejti Presidentin për ditët e orët e mundshme të takimit.”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës me zgjedhjen e Glauk Konjufcës kryetar dhe nënkryetarëve Arbërie Nagavci, Kujtim Shala dhe Memli Krasniqi, i ka hapur rrugë formimit të Qeverisë.

Pas caktimit, mandatari ka në dispozicion 15 ditë që t’ia ofrojë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeverisës. Në rast se herën e parë dështon, Presidenti bazuar në Kushtetutë ka të drejtë që të mandatojë një kandidat tjetër për mandatar. Nëse edhe i dyti dështon që të marrë votat e nevojshme në Kuvend vendi shkon në zgjedhje të parakohshme./21Media

Back to top button