Dhunimi i 11 vjeçares, të mërkurën protestë në Prishtinë
Nesër (31 gusht) do të protestohet nën sloganin “Mbrojtje për vajzat dhe gratë tona”.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se protesta do të mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti”.
“Sot u lajmëruam se 5 djem e burra e kanë dhunuar një të mitur 11 vjeçare në Prishtinë. Përdhunimi i shumëfishtë ndaj të miturës raportohet të jetë bërë për shtatë orë.Ky rast i përdhunimit është edhe një alarm që tregon për pasigurinë dhe tmerrin të cilin e jetojnë vajzat dhe gratë në Kosovë, në çdo hapësirë ku ato gjenden. Në Kosovë, rrugët, parqet, sheshet, dhomat e shtëpisë, hapësirat e shkollës a punës janë shpesh edhe vende krimi. Aty vajzat e gratë ngacmohen, dhunohen e vriten. E shteti e shoqëria, përtej sensacionit, heshtin. E kjo heshtje po ua merr sigurinë dhe jetën vajzave e grave”, thuhet në njoftim.
“Të mërkurën, ne mblidhemi në protestë dhe kërkojmë: Mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë; Trajtim të drejtë të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për dhunuesit; Legalizimin e përdorimit dhe shpërndarjen e gazit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray)”, vazhdon njoftimi.
Një vajzë ka raportuar në Policinë e Kosovës se para dy ditëve është dhunuar nga pesë persona të panjohur në Prishtinë.
Lidhur me rastin, janë arrestuar katër të dyshuar, ku dy prej tyre u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaj./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?