Arrestohen kamarierët që shpërndanin para të falsifikuara

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit, Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Prizren, bazuar në informacione të marra nga rrugët operative, ka realizuar një operacion mbi dyshimin se 5 persona me profesion kamarierë, po shpërndajnë para të falsifikuara metalike prej 2 euro.
Me datë 02.11.2021, hetuesit e kësaj njësie kanë bërë kontrollin e katër personave të dyshuar, si dhe kanë kryer kontrollin e shtëpisë së personit të pestë të dyshuar, si i dyshuari kryesor i rastit.
Gjatë kontrolleve të realizuara ndaj personave të dyshuar T.P. 21 vjeç, V.Z. 19 vjeç, A.P. 22 vjeç, L.E. 27 vjeç, B.B. 23 vjeç, janë siguruar prova të mjaftueshme që mbështesin dyshimin se ata kanë kryer veprën penale “Falsifikim i parasë”.
Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar 195 euro para metalike nga 2 euro, të dyshuara si të falsifikuara dhe 5 telefona mobil të të dyshuarve.
“Bazuar në dëshmitë dhe të gjeturat, të njëjtit dyshohet se janë kryerës potencial të kësaj vepre, ku vetëm gjatë muajit tetor 2021, kanë shkëmbyer herën e parë 300 euro origjinal të fituara për 400 euro false, që i kanë shpërnda. Herën e dytë 200 euro origjinal për 300 euro false, si dhe herën e tretë 400 euro origjinal për 550 euro false. Të pesë të dyshuarit në bashkëpunim, me qëllim të përfitimit material, kanë shpërnda para të falsifikuara dhe paratë origjinale të fituara nga vepra penale “Falsifikim i parasë”, i kanë ndarë në pjesë të barabarta, në pesë pjesë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Pas intervistimit, me vendim për ndalim nga prokurori kompetent, të pesë të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë./21Media

Back to top button