Atiq: Do ta demokratizoj Komunën, ka pasur diskriminim ndaj komuniteteve të caktuara

Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq ka premtuar se do të demokratizojë komunën të cilën synon ta udhëheqë.

Ai konsideron se diskriminimi i hapur ndaj komuniteteve të caktuara është problemi më i madh që ka kjo komunë, me të cilin do të ballafaqohet menjëherë pas ardhjes në pushtet.

Atiq, duke folur edhe për kundër kandidatët nga subjektet e tjera politike që garojnë për udhëheqjen e kësaj komune, thotë për vete se është kandidati më i aftë për t’u përballur me sfidat e kësaj komune, siç e quan ai, problematike.

‘Mendoj se jam kandidati më i aftë për t’i përballuar sfidat e kësaj komune problematike, dhe mendoj se programi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe i imi si kandidat për kryetar komune ofron program më të gjerë dhe më të mirë për qytetarët e komunës Veriore të Mitrovicës… Problemet (me të cilat do të merrem menjëherë) janë në të gjitha sferat, për shkak se institucioni i Komunës së Mitrovicës Veriore ka pasur mosfunksionalitet goxha të thellë, kështu që kjo ka me qenë një sfidë e vështirë… Menjëherë (do të ndërhyj) të demokratizoj institucionin e Komunës për shkak se ka pasur një diskriminim të hapur ndaj komuniteteve të caktuara, kështu që mendoj se kjo lyp një zgjidhje imediate menjëherë pas shpalljes së rezultatit, krijimit të organizmave qëllimi dhe hapi i parë që kam me ndërmarrë si kryetar i komunës’, ka thënë Atiq për kp.

Sipas tij, ka kushte të plota për mbajtjen e zgjedhjeve më 23 prill dhe sa i përket situatës së sigurisë në veri ka ndryshime të mëdha që nuk ka pasur asnjëherë deri më tash, prej pas lufte.

Atiq nuk pret të ndodhë ndonjë incident në veri ditët në vijim dhe as ditën e zgjedhjeve, ndërsa thekson se institucionet e Republikës së Kosovës më në fund po e shtrijnë autoritetin e tyre edhe në këto katër komuna veriore të vendit.

‘Ka ndryshime të mëdha në terren në aspektin e sigurisë, pothuajse çdo dy-tre ditë ka intervenime, arrestime nga ana e policisë dhe është duke u luftuar krimi si asnjëherë më parë gjatë këtyre 23 viteve pas luftës… Po ndryshojnë rrethanat në terren, mirëpo ka një optimizëm se më në fund edhe institucionet e Republikës së Kosovës po shtrihen në këto katër komunat të veriut të Kosovës… Jo aspak (nuk pres incidente). Me informatat që i kemi, të gjitha institucionet janë duke i kryer obligimet dhe punët e tyre në terren, deri tash përveç incidenteve me vetura, incidente tjera nuk ka pasur, dhe me gjasë edhe kjo natyrë e problemeve shumë shpejtë ka me u ndalë… Ka kushte (për mbajtjen e zgjedhjeve). KQZ-ja i ka bërë përgatitjet e duhura dhe përveç vendvotimeve statike kanë caktuar edhe vendvotime në kontejnerë që kanë me ua lehtësuar qasjen qytetarëve me pas më afër dhe më lehtë vendvotimin”, vijoi Atiq.

Atiq iu ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin ditën e zgjedhjeve në numër sa më të madh për të votuar, ndërsa ka garantuar se do të qëndrojë prapa të gjitha premtimeve të dhëna ndaj tyre.

“Mesazhi im për qytetarët është me dalë sa më shumë të votojnë, me përkrahë cilindo kandidat që ata mendojnë se meriton me udhëheqë komunën për këto dy vite e gjysmë. Me dalë sa më shumë pra, mos të hezitojnë, ndërsa unë si kandidat do të qëndroj prapa premtimeve dhe brengave të cilat i kanë ata’, u shpreh Atiq.

Përpos kandidatit të LVV-së, për kryetar të Komunës së Mitrovicës Veriore garojnë edhe Taulant Kelmendi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica. Të drejtë vote në këtë komunë kanë 18,118 qytetarë.

Back to top button