Bajrami: Raportimet e Muratit e tregojnë më së miri mospunën e kësaj qeverie

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka reaguar ndaj një deklarate të Ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili dje ka raportuar për shpenzimet e buxhetit për vitin 2023.

Raportimin e Muratit se ka pasur rritje për 13% për shpenzime të buxhetit krahasuar me vitin paraprak, Bajrami e ka quajtur manipulim me numra në formë të përqindjes.

“Hekuran Murati paska thënë se shpenzimet buxhetore për vitin 2023 janë rritur me 13% në krahasim me një vit me herët, por do të ishte më fer të tregohej se këto shpenzime, duke e përfshirë edhe lëmoshën e shpërndarë në fund të vitit, arrijnë shumën totale prej 2.966 miliardë euro, apo saktësisht 342 milionë euro me pak se buxheti i planifikuar (3,238 mld euro)”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

Ndërsa, ka shtuar se paaftësia për ta shpenzuar një buxhet të planifikuar nuk është arritje me të cilën mund të mburresh, por cilësohet si dështim, mungesë vizioni dhe simptomë e keqmenaxhimit.

Tutje Bajrami ka përmendur edhe shpenzimet për pagat dhe shtesat duke treguar se ka kategori, të cilave nuk i’u ka lëvizur paga që nga viti 2016, shkuran rtv21.tv.

“Shpenzimet për paga dhe shtesa qenkan rritur për 111 milionë euro dhe sipas tij, pagat në sektorin publik qenkan rritur për 17%. Por mesatarja këtu sërish nuk e tregon realitetin sepse derisa Hekuranit i është rritur paga për 450 euro vitin e kaluar, ka kategori të tjera që kanë pasur ulje të pagës, dhe ka të tillë të cilëve paga nuk u ka lëvizur prej vitit 2016. Andaj është mirë që Hekurani ta dijë se kur ai han dardha nuk do të thotë se të tjerëve ju pihen dhëmbet”, shton tutje Bajrami

Bajrami ka përmendur edhe rritjen e shërbimeve dhe mallrave në vitin që lamë pas ku ka thënë se gjatë gjithë vitit spitalet kanë qenë pa barna e policët pa pajisje.

“Ndërsa për mallra dhe shërbime paska thënë se gjithashtu ka rritje për 17%, por paska thënë se 17% e 337 milionëve është me pak se 17% e 653 milionëve. Këtë vetëm gjenitë në qeverinë Kurti dijnë ta deshifrojnë. Pra, për mallra dhe shërbime në vitin që lamë pas janë shpenzuar 394 milionë Euro dhe kjo rritje ka shkuar kryesisht në luksin e qeveritarëve sepse spitalet i kemi pasur pa barna e policët pa pajisje gjatë tërë vitit”, ka thënë deputetja e LDK-së.

Më tutje Bajrami ka përmendur edhe subvencionet ku ka cilësuar se edhe pse gati gjysma e buxhetit është shpenzuar në subvencione varfëria në vendin tonë është në rritje.

“Derisa ne vitin 2022 kjo qeveri ka shpenzuar 1 milardë e 65 milionë Euro për subvencione dhe transfere, apo 40% të totalit buxhetor, këtë vit për subvencione dhe transfere paskan shpenzuar 1 miliard e 75 milionë Euro, apo 36% të buxhetit. E vlefshme për tu theksuar se në të njejtën kohë që kjo qeveri shpenzon gati gjysmën e buxhetit në subvencione, varfëria në vendin tonë është në rritje sipas UNDP-së. Me të vërtetë arritje për tu krenuar”, shton Bajrami.

Ajo e ka quajtur të çuditshëm faktin që është raportuar se Qeveria Kurti II për nëntë muaj të vitit 2023 ka shpenzuar 263 milionë euro, ndërsa sipas saj vetëm në tremujorin e fundit janë shpenzuar 294 milionë euro.

“Shifrat me të cilat po mburret Hekuran Murati në fakt vetëm se e tregojnë më se miri mospunën e kësaj qeverie”, përfundon Bajrami./21Media

Back to top button