BE-ja për dinarin: Palët s’janë të gatshme të bëjnë kompromis për të arritur marrëveshje

Bashkimi Evropian ka thënë se Kosova e Serbia nuk kanë gatishmëri për të bërë kompromise për të arritur dakordim për çështjen e pagesave me para në Kosovë, pas dështimit të takimit të shtatë të palëve për çështjen e dinarit.

Në një deklaratë për media të lëshuar nga zyra për informim e BE-së thuhet se palët kanë tejkaluar disa dallime, por se nuk është arritur dakordim në disa çështje.

“Në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e përkohshme e qëndrueshme për njerëzit më të prekur nga Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operimet cash, Bashkimi Evropian, si lehtësues i dialogut Beograd-Prishtinë, ka mbajtur shtatë takime me delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë në mes të 28 shkurtit dhe 15 majit në Bruksel. Gjatë këtyre takimeve, palët kanë paraqitur gjerësisht qëndrimet e tyre dhe kanë hulumtuar mundësitë për të gjetur bazën e përbashkët. BE-ja dha disa ide dhe propozime përgjatë procesit dhe palët arritën të kapërcejnë disa dallime në mënyrë që të sigurojnë flukse financiare nga Serbia në Kosovë, përfshirë marrëveshjen për themelimin e një entiteti të ri biznesor, sipas ligjeve të Kosovës, i ngarkuar me shpërndarjen e përkohshme të ndihmës financiare nga Serbia”, thuhet në komunikatë.

Megjithatë, sipas BE-së, pavarësisht propozimit të saj “të kompromisit”, palët s’janë dakorduar për “shtrirjen e përgjithshme të aktiviteteve të njësisë së re, fushëveprimin e përfituesve të këtij entiteti dhe ndihmën financiare nga Sebria për institucionet e mbështetura nga Serbia në Kosovë”.

“Takimi i fundit sot dëshmoi që palët nuk ishin në gjendje të gjenin një zgjidhje kompromisi në çështjet e hapura. BE-ja shpreh keqardhje që sot nuk u arrit asnjë marrëveshje. BE-ja vlerëson se nuk ka gatishmëri për të gjetur marrëveshje kompromisi për të ardhmen”, thuhet në deklaratë.

Deklarata përfundon me shqetësimin se mungesa e marrëveshjes ka pasoja negative në jetën e serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera të Kosovës.

Back to top button