Haradinaj: Kryeministër, nuk ushqehet populli me ideologji

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh deputet i Kuvendit, Ramush Haradinaj, ka thënë se situata në vend kurrë nuk ka qenë më e rëndë, në aspektin e ekzistencës dhe të sigurisë.
Haradinaj ka theksuar se “qytetari i këtij vendi po përballet me pamundësinë me sigurua ekzistencën, po rriten çmimet e gjithë artikujve të jetesës, rryma, nafta, vaji, sheqeri, buka, ilaçet edhe gjithçka tjetër”.
Ai ka paralajmëruar se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
“Kemi qenë të shqetësuar gjatë gjithë këtyre muajve të veprimeve të kësaj qeverie antipopullore. Ka më shumë se 6 muaj që bëjmë presion te kjo qeveri ta miratojë Ligjin e Pagave dhe rritjen e pagës minimale, e s’ka asnjë veprim. Përkundrazi ajo e rritë çmimin e energjisë për qytetarët shqiptarë, ndërkaq për serbët në veriun e vendit, vendos me ua pagua rrymën nga buxheti i shtetit.
Sot, e kemi nisë procedurën që këtë diskriminim ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese, si shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. Përfundimisht, situata në Kosovë kurrë nuk ka qenë më e rëndë, edhe në aspektin e ekzistencës e edhe të sigurisë. Kryeministri në vend që të veprojë po mbanë fjalime letrare dhe filozofike në Kuvend”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Sipas tij, populli nuk ushqehet as me ideologji e as me ëndrra.
“Nuk mashtrohen njerëzit me fjalë të bukura. Nuk mbahet shpija me llafe. Qeveria po kujton se mund të tallet me qytetarët e vendit, duke i lajthitur me do farë “epopeshë të arsimit”. Kanë vdekur sistemet kur popujt janë ushqyer me ideologji dhe me artin e kulturën që e kanë prodhuar ato, e të cilat kryeministri Kurti po i përdorë me aq pafytyrësi. Prandaj, ne nuk e kemi ndërmend të ndalemi së demaskuari këtë qeveri të dëmshme, pa marrë parasysh fuqinë tonë opozitare në Kuvend, por gjithnjë me shpresë se do të rritet populli opozitar që nuk do të bie pre e mashtrimeve dhe fjalëve të bukura të Kryeministrit, e që herëdokurë do t’ia japë përgjigjen që e meriton”, ka shkruar tutje Haradinaj./21Media

Back to top button