Kosova dhe Shqipëria së shpejti me memorandum të ri për sigurimet

Byroja Kosovare e Sigurimeve ka bërë të ditur se së shpejti do të nënshkruaj memorandum me Byronë Shqiptare të Sigurimeve me qëllim trajtimin dhe pagesat ndaj palëve të treta të dëmtuara në aksidente të komunikacionit.
“Në zyrat e Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), Drejtori Ekzekutiv i BKS Sami Mazreku ka pritur në takim Znj. Anila Hoxha – Drejtore e Përgjithshme e Byrosë Shqiptare të Sigurimit (BSHS), me qëllim të diskutimit lidhur me modalitetin e ripërtëritjes së Memorandumit të Mirëkuptimit mbi njohjen reciproke të certifikatave të sigurimit për të dy vendet, memorandum ky i cili është nënshkruar në vitin 2006. Fokus në memorandumin e ri ndërmjet dy byrove, do të jetë rritja e bashkëpunimit në fushën e trajtimit dhe pagesës së dëmeve ndaj palëve të treta të dëmtuara në aksidente të komunikacionit”, bëhet e ditur në njoftim.
Sipas njoftimit, memorandumi do të nënshkruhet javët në vijim.
“Memorandumi i ri do të nënshkruhet në javët në vijim, në saje të mbylljes së ciklit të nënshkrimit të memorandumeve me të gjitha byrotë e rajonit, në synim të ndërtimit të raporteve sa më të mira me të njejtat, me qëllim të gjetjes së mënyrave alternative për aplikimin e sistemit të kartonit të gjelbër për drejtuesit kosovar të mjeteve motorike”, thuhet më tej./21Media

Back to top button