Kurti njoftoi grupin e ri parlamentar për sfidat e koalicionit me LDK-në
U diskutua për procesin negociator për krijimin e qeverisë
Lëvizja Vetëvendosje sot mbajti mbledhjen e parë të grupit të ri parlamentar, në krye me Albin Kurtin. Siç njoftoi VV përmes një postimi, në mbledhje u diskutua edhe për procesin negociator për krijimin e qeverisë.
Po ashtu sipas VV-së, Kurti njoftoi deputetët për të arriturat dhe vështirësitë për krijimin e koalicionit me LDK-në.
“Nën kryesimin e kryetarit, Albin Kurti, sot u mbajt mbledhja e parë e Grupit të ri Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit. Me këtë rast u shpreh urimi i fitores të gjithë deputetëve si grupi më i madh parlamentar në përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës.
Pjesë e diskutimit të mbledhjes ishte edhe procesi negociator për krijimin e qeverisë, me ç’rast kryetari Kurti i njoftoi deputetët me arritjet dhe sfidat për krijimin e koalicionit të ri qeverisës.”, shkroi VV në faqen zyrtare në facebook.